Kanceri eshte nje grup semundjesh qe karakterizohet nga rritja dhe shumimi i pakontrolluar qelizor duke formuar një tumor malinj, pra nje kancer. Kanceri mund të përhapet në pjesë të tjera të trupit me anë të sistemit limfatik dhe qarkullimit të gjakut.

Globalisht sipas të dhënave të GLOBOCAN 2020, janë rreth 19.3 milion raste të reja me kancer në vit dhe rreth 10 milion vdekje nga kjo sëmundje. Është parashikuar se numri i vdekjeve nga kanceri do të dyfishohet në 20-40 vitet e ardhshme, me numrit më të madh në vendet me të ardhura të ulta dhe mesatare.

Në shuma raste kanceri mund të parandalohet dhe diagnostikimi i hershëm rrit ndjeshëm mundësinë e kurimit. Me njohuritë e deritanishme mbi kancerin është e mundur të parandalohet rreth 1/3 e rastave me kancer, përfshirë kancerin e gjirit, kolorektal dhe kancerin e qafës së mitrës.

Globalisht, më shumë se 70% të vdekjeve nga kanceri regjistrohen në vendet me të ardhura të ulta dhe mesatare, ku mundësitë për parandalim, diagnostikim të hershëm dhe trajtim janë të limituara.

Në Shqipëri, sipas GLOBOCAN 2020, janë regjistruar 7037 raste të reja me kancer për vitin 2020 dhe 3978 vdekje. Nje permbledhje e statistikave per vitin 2020 është paraqitur në tabelën 1.

Tabela 1.
Përmbledhje e statistikave mbi kancerin për vitin 2020
Sipas INSTAT për të dhënat mbi vdekjet në Shqipëri për vitin 2020, vdekjet nga Tumoret zënë 13,0 % të vdekjeve gjithsej, duke u renditur si grupi i tretë kryesor referuar shkakut të vdekjes.  Krahasuar me vitin 2019, janë regjistruar 0,2 % më shumë humbje jete nga kjo grupsëmundje. Në vdekjet nga tumoret përqindjen më të lartë e zë nëngrupi i “tumore të aparatit të tretjes”, me 35,1 % dhe “tumore të aparatit të frymëmarrjes” me 24,5 %.

Sipas GLOBOCAN 2020, kanceri i mushkërisë zë vëndin më të lartë për vdekjet nga kanceri me 966 vdekje në vit, pasuar me kancerin e stomakut me 385 vdekje në vit. Në tabelën 3 dhe 4 gjeni incidencën dhe numrin e vdekjve nga kanceri në Shqipëri për llojet më të shpeshtë të kancerit për vitin 2020.

Tabela 3: Incidenca për llojet më të shpeshtë të kancerit ne Shqipëri
Tabela 4: Numri i vdekjeve për llojet më të shpeshtë të kancerit ne Shqipëri

Faktorët e riskut

Faktorët e riskut për kancerin kategorizohen ne faktorë që mund të ndryshohen dhe që kanë të bëjnë kryesisht me stilin e jetesës si dhe faktorë të pandryshueshëm që kanë të bëjnë kyesisht me trashëgiminë gjenetike.

Ndër faktorët e riskut të lidhur me stilin e jetesës përfshihën duhanpirja, obezitetit, alkooli, infeksione virale si HPV dhe HBV, HCV, HIV, ekspozimi ndaj substancave kimike, rrezatimit jonizues dhe atij ultraviolet etj.

Sipas studimit të përdorimit të substancave në popullatën e përgjithshme në Shqipëri në vitin 2014, prevalenca e duhanpirjes tek burrat ishte 43.3% dhe tek femrat 10.7%. Të dhënat mbi duhanpirjen në Shqipëri mbështeten në anketa periodike në popullatë, të cilat janë bërë mbi grupmosha të ndryshme. Krahasimi i tri studimeve të mëdha që përdorin të njëjtën metodologji, siç janë Anketa e Shëndetit Riprodhues dhe dy raundet e ADHS, tregon për një ulje graduale të prevalencës së duhanpirjes te meshkujt e moshës 15-49 vjeç (nga 46% në vitin 2002, në 36% në 2018), por edhe për një rritje të lehtë graduale te femrat (nga 3% në vitin 2002, në 5% në 2018). Megjithatë, po të krahasohet me të dhënat e GPS 2014, edhe tendenca tek femrat shfaq shenja ngadalësimi. 

Sipas SDShSh 2009, prevalenca e mbipeshës dhe obezitetit në popullatën 15-49 vjec në Shqipëri ishte 39.3% te burrat dhe 9.7% te gratë. Sipas studimeve kombëtare te fëmijët (COSI) dhe adultët në Shqipëri (ADHS), prevalenca e mbipeshës është në rënie si te fëmijët edhe te adultët, dhe shifrat e fundit tregojnë arritjen e objektivave të strategjisë SJT në këtë fushë. Megjithatë, ndërkohë që prevalenca e përgjithshme e mbipeshës ka qenë në ulje gjatë periudhës së strategjisë, obeziteti është rritur.

Përsa i përket pëdorimit të alkoolit, të dhënat në Shqipëri nuk janë të plota. Tendencat kohore mbështetur në të dhënat kombëtare (ADHS, RHS) tregojnë një ulje të prevalencës së pirjes ≥5 ditë në javë gjatë vitit të fundit ndër personat e moshave 15-49 vjeç, ndërsa prevalenca e pirjes në femra mbetet e qëndrueshme.

Për sa i përket aktivitetit fizik nuk është monitoruar në mënyrë sistematike për mosha të ndryshme të popullsisë shqiptare. Në popullatën e përgjithshme u mat për herë të parë nga ADHS 2018 dhe nga një anketë me të moshuar në vitin 2017. I vetmi studim që na mundëson vëzhgimin e tendencave kohore është anketa mbi “Sjelljet e shëndetshme tek fëmijët e moshës shkollore” (HBSC), raundi i parë 2013-14 i së cilës u pasua nga raundi i dytë në vitin 2019. Krahasimi tregon një përmirësim të lehtë sa i përket prevalencës së aktivitetit fizik tek djemtë dhe vajzat.

Diagnostikimi i hershëm

Diagnostikimi i hershëm është një nga stategjitë më efektive në uljen e numrit të vdekjeve nga kanceri. Edukimi i popullatës për simptomat e hershme dhe programet e koordinuara të depistimit dhe aksesi i lehtësuar në shërbimet mjekësore janë ndër mënyrat kryesore për të arritur në diagnostik të hershëm.

Nuk ka të dhëna sistematike për aksesin në kujdesin shëndetësor, megjithatë ka disa studime që kanë hulumtuar aksesin në kujdes shëndetësor në grupe me rrezik të lartë në popullatë; studimi i vulnerabilitetit shëndetësor i vitit 2018, studimi MOSHA i vitit 2017, vlerësimi i vitit të parë të programit për depistimin e kancerit të qafës së mitrës, etj. Këto studime tregojnë se nga 75% deri 95% e atyre që kishin nevojë për kujdes/trajtim, ose që ishin këshilluar për të kryer ekzaminime të mëtejshme, mundën ta merrnin atë në sektorin publik. Aksesi është më i ulët në grupet me vulnerabilitet të lartë (individët e varfër, të papunët, komuniteti Rom, etj.) dhe në disa kategori specifike bie edhe nën targetin 50% të strategjisë së SJT-ve.

Përsa i përket programeve  të depistimit, në Shqipëri është duke u kryer depistimi me mamografi për kancerin e gjirit, depistimi me Pap Test dhe HPV test për kancerin e qafës së mitrës dhe depistimi i kancerit kolorektal me fece gjak okult i përfshirë në ekzaminimet vjetore të check-up.

Pavarsisht se përpjekjet për parandalim dhe diagnostikim të hershëm janë shtuar në vitet e fundit në Shqipëri, ka ende shumë vend për përmirësim në mënyrë që ato të kenë një impakt më të lartë në uljen e numrit të rasteve të reja dhe uljen e numrit të vdekjeve nga kanceri.

Në 4 Shkurt 2022, që përkon me ditën botërore të kancerit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka prezantuar Programin Kombëtar të Kontrollit të Kancerit 2021-2031, në një konferencë me pjesëmarrje të strukturave shëndetësore, specialistë të fushës dhe partnerë vendas dhe ndërkombëtarë. Ndër të tjera, ky program përfshin për herë të parë financimin e vaksinës HPV për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.