HPV (Human papillomavirus) është një ndër viruset me të shpeshtë ndër ata seksualisht të transmetueshëm. HPV-ja është një virus ADN-je me shumë nëntipe. Janë rreth 40 tipe të HPV-së që infektojnë zonën anogjenitale.

Infeksioni i HPV-së është një shkak tashmë i njohur i kancerit të qafës së mitrës. Rreth 95% e rasteve me kancer të qafës së mitrës janë për shkak të infeksionit me HPV. 

Gjenotipet e HPV-së të lidhura me riskun për kancer të qafës së mitrës janë si më poshtë:

Risk i lartë: HPV 16, 18, 31, 33, 35, 39, 45, 51, 52, 56, 58, 59 dhe 68

Risk i ulët: HPV 6, 11, 40, 42, 43, 44, 53, 54, 61, 72, 73 dhe 81

Tipi 16 dhe 18 janë tipet më të shpeshta të lidhura me kancerin e qafës së mitrës. Tipi 16 haset në rreth 50% të pacienteve me kancer të qafës së mitrës. Megjithatë, jo të gjitha infeksionet me HPV tip 16 dhe 18 transformohen në kancer pasi brenda një tipi onkogjenik të HPV-së, ekzistojnë variante të tjera, që janë të lidhura me potencial onkogjenik të ndryshëm.

Kanceri i kokë-qafës - Infeksioni i HPV-së është i lidhur me disa forma të kancerit me qeliza skuamoze, veçanërisht orofaringeal. Risku për kancer ne personat e infektuar me tipe me risk të lartë të HPV-së është rreth 4 herë më i lartë për kancerin e kavitetit oral dhe orofaringeal.

Infeksioni i HPV-së është i lidhur edhe me kancerin anal dhe spektri i tipeve me risk të lartë për këtë kancer është i ngjashëm me atë të kancerit të qafës së mitrës. HPV 16 është lloji më i shpeshtë i HPV-së i detektuar në pacientët me kancer anal.

HPV është një faktor risku i njohur edhe për kancerin penil dhe neoplazinë intraepiteliale.

Kanceri i qafës së mitrës


Rastet me kancer të qafës së mitrës janë vazhdimisht në rënie në vendet e zhvilluara, kjo për shkak të implementimit të programeve të depistimit dhe vaksinimit kundër faktorit kryesor të riskut që është infeksioni me HPV. Në Shqipëri, të dhënat për kancerin e qafës së mitrës janë bërë publike për vitin 2020 dhe rezultojnë 133 raste të reja në vit, çka e bën kancerin e qafës së mitrës kancerin e 2të më të shpeshtë gjinekologjik te gratë e moshës 15-44 vjeç. 74 gra me kancer të qafës së mitrës humbasin jetën për çdo vit nga kjo sëmundje.

Burimi: INSTAT, ISHP, Globocan Albania

Kanceri anogjenital

Ka shumë të dhëna që e lidhin infeksionin e HPV me kancerin e anusit, vulvës, vaginës dhe penisit. Edhe pse këto lloje kanceri janë shumë më të rralla se kanceri i qafës së mitrës, lidhja e tyre me HPV-në i bën ato potencialisht të parandalueshme me strategji të ngjashme me ato kundër kancerit të qafës së mitrës.

Kanceri anal


Globalisht janë rreth 29.000 raste të reja në vit me kancer anal dhe gratë janë më shumë të predispozuara për të zhvilluar kancer anal se burrat. Kanceri anal në Shqipëri është shumë i rrallë, me 4 raste të reja regjistruara në vitin 2020 të moshë 55-69 vjeç, nga këta 3 raste ishin burra dhe 1 rast grua. Vdekshmëria për kancerin anal në Shqipëri për vitin 2020 ka qenë zero.

Kanceri i vulvës


Kanceri i vulvës përfaqëson rreth 6% të gjithë llojeve të kancerit gjinekologjik në botë. Lezionet bazaloide janë më të shpeshta në gratë e reja dhe janë më shpesh të lidhura me infeksionin e HPV-së. Karcinoma vulvare keratinizuese përbën shumicën e lezioneve vulvare (>60%) dhe shfaqen më shpesh në gratë e moshuara dhe më rrallë janë të lidhura me infeksionin e HPV-së.

Numri total i rasteve me kancer të vulvës në Shqipëri për vitin 2020 ishte 24, me numrin më të madh të rasteve në moshën 70-84 vjec. 12 gra kanë humbur jetën nga kanceri i vulvës për vitin 2020.

Kanceri vaginal


Kanceri vaginal përbën 3% të gjithë rasteve me kancer gjinekologjik në botë dhe shumica e tyre janë karcinoma më qeliza skuamoze kryesisht të lidhura me infeksionin e HPV-së. Numri i rasteve me kancer vaginal në Shqipëri për vitin 2020 ishte 8, mosha 45-84 vjeç. Nuk ka patur vdekje nga kanceri vaginal ne Shqipëri për vitin 2020.

Kanceri i penisit


Kanceri i penisit është i rralle dhe kryesisht prek burrat e moshave 50-70 vjeç. Në Shqipëri janë regjistruar 10 raste te reja me kancer penil ne vitin 2020, të moshës 60-85 vjeç dhe 6 persona kanë humbur jetën nga kjo sëmundje për vitin 2020.

Kanceri i kokë-qafës

Shumica e rasteve të kancerit të kokë-qafës janë të lidhura me duhanpirjen dhe alkoolin. Megjithatë, rritja e rasteve të reja, pavarësisht numrit në rënie të duhanpirësve sugjeron edhe për faktorë të tjerë etiologjikë. Infeksioni nga tipe të caktuara të HPV-së është raportuar si faktor risku për kancerin e kokë-qafës dhe veçanërisht për kancerin orofaringeal.

Kanceri orofaringeal


Në vitin 2020 janë regjistruar gjithsej 18 raste me kancer orofaringeal, të moshës 45-85 vjeç, nga këta 16 burra dhe 12 gra. 21 persona kane humbur jetën nga kanceri orofaringeal në Shqipëri për vitin 2020.

Kanceri i kavitetit oral


Në vitin 2020 janë regjistruar 106 raste me kancer të kavitetit oral në Shqipëri, të moshës 35-85 vjeç. Nga këta, 58 kanë qenë burra dhe 48 gra. 50 persona kanë humbur jetën nga kanceri i kavitetit oral në Shqipëri për vitin 2020.

Kanceri laringeal


Ne vitin 2020 janë regjistruar 145 raste me kancer laringeal në Shqipëri, të moshës 35-45 vjeç. Nga këta, 125 kanë qenë burra dhe 22 gra. 90 persona kanë humbur jetën si pasojë e kanceri laringeal në Shqipëri për vitin 2020.

Faktorët që kontribuojnë ne zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës

HPV-ja është faktori kryesor i zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës, por nuk është plotësisht i mjaftueshëm. Disa bashkëfaktorë janë të domosdoshëm për transformimin nga një infeksioni të HPV-së në një kancer të qafës së mitrës. Duhanpirja, numri i lartë i lindjeve, përdorimi i zgjatur i kontraceptivëve oral dhe infeksioni me HIV janë bashkëfaktorë të identifikuar për zhvillim të kancerit të qafës së mitrës. Infeksioni me Chlamydia trachomatis, herpes simplex tip 2 dhe imunosupresioni mund të jenë gjithashtu bashkefaktorë potencialë.

Strategjitë e parandalimit te infeksionit HPV dhe kanceri të qafës së mitrës

Është e vërtetuar se programet e depistimit për kancerin e qafës së mitrës ulin incidencën e kancerit të qafës së mitrës dhe vdekshëmërinë nga kjo sëmundje. Vaksinimi kundër HPV-së gjithashtu mund të reduktojë incidencën e kancerit të qafës së mitrës në dekadat e ardhshme. Megjithatë, vaksinimi kundër HPV-së në Shqipëri ende nuk është pjesë e programit për parandalimin e kanceri të qafës së mitrës dhe mund të kryhet vetëm në struktura shëndetësore private.

Strategjitë e depistimit ndryshojnë ndërmjet vendeve të ndryshme. Metoda me e shpeshtë e përdorur është citologjia dhe testimi për HPV ADN. Programi kombëtar i depistimit ne Shqipëri përdor si ekzaminim primar testimin per HPV me riks të lartë dhe përfshin gratë e moshës 40-50 vjec, ndërsa depistimi me citologji rekomandohet nga mosha 20 vjec.


Sipas raportit mbi vlerësimin e programit të depistimit të kancerit të qafës së mitrës për vitin 2019, të publikuar nga ISHP, deri në 1 Dhjetor 2019 u mblodhën rreth 12300 mostra, nga të cilat 6.1% rezultuan pozitive për HPV me risk të lartë. Sipas po të njëjtit raport, në programin kombëtar për depistim të kancerit të qafës së mitrës ka patur një pjesëmarrje më të madhe të grave të zonave rurale (58%).


Vaksnia kundër HPV

Janë aktualisht 4 lloje vaksinash të aprovuara nga OBSH, të cilat mbojnë kundër tipeve 16 dhe 18 të HPV-së, të cilat shkaktojnë rreth 70% të rasteve me kancer të qafës së mitrës. Vaksina 9-valente mbron edhe nga 5 tipe të tjera onkogjenike të HPV-së, të cilat shkaktojnë edhe 20% të rasteve të tjera të kancerit të qafës së mitrës.

Studimet klinike kanë treguar se vaksina e HPV-së është e sigurt dhe efektive për mbrojtjen ndaj infeksionit me HPV dhe parandalimin e lezioneve prekonaceroze dhe kancerit invaziv.

Vaksina e HPV vepron më mirë nëse administrohet para ekspozimit ndaj HPV-së. Për këtë arsye, për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, OBSH rekomandon vaksinimin e vajzave të moshës 9-14 vjeç, para fillimit të aktivitetit seksual. Disa shtete kanë nisur vaksinimin edhe të djemve për të parandaluar llojet e kancerit te burrat të lidhura me HPV.

Ajo çka duhet theksuar është se vaksina e HPV-së nuk zëvendëson depisitimin për kancer të qafës së mitrës. Në vendet ku vaksinimi është pjesë e progameve për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, programet për depistim duhet të jenë aktive për të reduktuar incidencën dhe vdekshmërinë nga kjo sëmundje.

Dr. Kleida Mati
Mjeke Onkologe