Njerëzit me autizëm e kanë të vështirë komunikimin dhe ndërveprimin me të tjerët. Por është e vështirë të pëshkruash sesi është një person me autizëm tipik, madje disa tipare autike mund t’i gjesh te secili prej nesh.

Çrregullimi i Spektrit të Autizmit (ÇSA) përfshihet në çrregullimet e neurozhvillimit, sepse – ndonëse mund të diagnostikohet vonë në jetë – fillon në fëmijërinë e hershme dhe priret të jetë i pranishëm edhe në adoleshencë e moshë të rritur. Niveli i funksionimit intelektual te njerëzit me autizëm është shumë i larmishëm, duke nisur nga prapambetja mendore e thellë e deri në aftësi mbi normalen të aftësive njohëse jo verbale. 

Sipas OBSH, është vlerësuar se rreth 50% e njerëzve me autizëm vuajnë gjithashtu nga paaftësia intelektuale. 

Ka një larmishmëri të madhe simptomash mes njerëzve me autizëm. Disa nga simptomat kryesore përfshijnë probleme me komunikimin, vonesë e zhvillimit gjuhësor dhe vështirësi në ndërveprimin social, si të paturit miq, ruajtjen e kontaktit me sy, të kuptuarit e gjuhës së trupit të tjetrit ose shprehive të fytyrës dhe pamundësinë për të shprehur atë që ndiejnë. Sjelljet përsëritëse dhe rutina strikte mundet gjithashtu të jenë të pranishme, si lëvizjet përsëritëse, ritmike të trupit, ose pamundësia për t’u përshtatur edhe me ndryshimet e vogla. 

Ka disa raste të çrregullimit të spektrit të autizmit, në të cilat simptomat autike janë shumë të shprehura. Në këto raste, shumë shpesh janë të pranishme çrregullime të tjera të neurozhvillimit, të cilat ndër të tjera çojnë në shprehjen më të theksuar të simptomave tipike të autizmit. Autizmi është një çrregullim jashtëzakonisht kompleks. Kërkimet shkencore në lidhje me të vijnë nga disiplina të ndryshme, por shtyllat e rëndësishme të studimit përfshijnë psikiatrinë dhe neurologjinë, si edhe gjenetikën e neurobiologjinë. Vetëm në këtë mënyrë shpresohet të bëhret e mundur të zhvillohen terapi efektive për forma të caktuara të autizmit. 

Tepër të talentuar


Disa njerëz me ÇSA kanë gjithashtu edhe Sindromin Savant, një gjëndje e rrallë ku dikush ka aftësi të jashtëzakonshme të lidhura me kujtesën, por edhe me artin, matematikën e muzikën.

Filmi “Rain Man” i vitit 1988, me aktorë kryesorë Dustin Hoffmann dhe Tom Cruise, është një nga filmat e parë që ka patur si personazh kryesor një njeri me autizëm. Ndonëse filmi i njohu njerëzit me autizmin në vija të përgjithshme dhe e solli këtë çrregullim në vëmëndjen e shoqërisë, ai shpesh kritikohet sepse ka krijuar një stereotip të njerëzve me autizëm.

Personazhi i Dustin Hoffmann, Raymond, është një burrë autik, i cili mund të mbante mend përmendësh numra me tepri, por është i paaftë për të menaxhuar jetën e tij të përditshme dhe jetonte në strehëzat për njerëzit me paaftësi. Filmi është frymëzuar nga jeta e Kim Peek, një amerikan me aftësi të jashtëzakonshme të kujtesës, i cili mund të mësonte përmendësh përmbajtjen e një libri me 12 000 faqe.

Por njerëzit autik me këto talente të jashtëzakonshme janë tepër të rrallë. Studimet tregojnë se numri i njerëzve me autizëm që kanë edhe Sindromin Savant mendohet të jetë rreth 1 në 10 njerëz me autizëm. Një studim gjeti se 37% e njerëzve të marrë në studim shfaqën ose aftësi të sindromit savant ose aftësi të pazakonta konjitive ose të dyja së bashku.

Për shembull: nëse ju e pyesni atë se çfarë ka në numëratorin telefonik në faqen 923 në mes të rreshtit, ai mund të ta thotë lehtësisht por ndërkohë ai has vështirësi me veshjen-zhveshjen në mëngjes. Ai vesh fillimisht këpucët e më pas pantallonat. Kjo do të thotë që ai ka nevojë për ndihmë.

 

Diagnoza nga profesionistët është thelbësore

Diagnostikimi i një njeriu me “autizëm” do duhet patjetër të bëhet nga njerëz profesionistë të fushës. Ka një llojshmëri instrumentash dhe testesh të cilët ndihmojnë në diagnozë dhe e mbështesin atë. Në qendrat e përshtatshme, specialistët janë ata që i kryejnë këto testime,  nuk mjafton thjesht të qënit psikiatër apo neurolog. Nevojitet shumë përvojë dhe mjeshtëri për të përcaktuar nëse dikush ka autizëm dhe formën e tij. 

Përafërsisht gjysma e njerëzve, të drejtuar për vlerësim të dyshuar për autizëm, nuk janë aspak me autizëm. Në këto raste thjesht nuk është kjo diagnoza e saktë. Për më tepër, në ditët e sotme autizmi është bërë si diagnozë në modë,” thotë Ehrenreich.

Ndërkohë që gjëndje të tjera mundet të trajtohen me barna, barna të veçantë për njerëzit me autizëm të formës së rëndë nuk ekzistojnë. Asnjë nga barnat e deritanishëm nuk ka bërë ndonjë ndryshim të madh. Këtu mund të përmendim edhe mesazherët endogjenë të oksitocinës, që vepron direkt në tru. Si një hormon, oksitocina hyn në trupin tonë përmes rrjedhës së gjakut. Është gjetur që është e aftë që të përmirësojë ndërveprimin social te njerëzit më autizëm për një kohë të shkurtër. Megjithatë nuk ka një ndikim në afatgjatë. Por kjo përvoje e re mundet që të inkurajojë njerëzit autik që të fillojnë psikoterapinë e sjelljes. Megjithatë, fillimisht do duhet bërë diagnostikimi sa më i qartë dhe i saktë që të jetë e mundur.




Të diagnostikosh autizmin

Bazuar në vëzhgimin që njerëzit me autizëm shmangin kontaktin me sy, shkencëtarët kanë ndërtuar eksperimente për “gjurmimin e syrit”. Kjo përfshin një kamera që regjistron lëvizjet e syrit. Me ‘gjurmimin e syrit’ ju mund të dalloni që një njeri me autizëm nuk shikon drejt syve apo gojës së bashkëbiseduesit, ashtu sikurse shumica e njerëzve, por si shikon në një zonë të fytyrës e cila luan një rol të parëndësishëm në komunikim. Ata mundet të shohin qafën ose faqet, për shembull. Një mjet tjetër është termografia. Kjo mund të japi informacion rreth temperaturës sipërfaqësore të fytyrës së një njeriu. Duke bërë këtë ju mund të shihni disa modele karakteristike të ndryshimit të nxehtësisë dhe të ftohtit në fytyrë. Kjo na mundëson të bëjmë dallimin e një stimuli social nga një stimul thjesht konjitiv, për shembull, ata që bazohen te perceptimi dhe të menduarit në mënyrë të pavarur nga ndërveprimi shoqëror. Këto testime çojnë drejt një matje relativisht objektive për diagnostikim, sepse ato mund të tregojnë se sa shumë stres mund të përjetojë një njeri me autizëm kur ndërvepron me të tjerët. Teste të tilla mund t’i ndihmojnë profesionistët e mjekësisë dhe studiuesit që të kuptojnë më mirë mekanizmat dhe shkaktarët e autizmit.

Njohuritë e grumbulluara

Që prej 2004 në SHBA ka një bazë të gjerë të dhënash në të cilën gjenden jo vetëm njerëzit me autizëm, por edhe njerëzit me skizofreni. Me ndihmën e kësaj baze të dhënash shkencëtarët mundet që të dallojnë dhe të përshkruajnë fenotipet. Kjo përfshin tërësinë e karakteristikave që një organizëm ka, duke përfshirë dhe tiparet e sjelljes. Ato janë veçanërisht thelbësore për të kuptuar autizmin.

Kjo bazë të dhënash ka si synim që të ndihmojë në klasifikimin e subjekteve sa më saktë që të jetë e mundur. Ndër të tjera kjo përfshin të përcaktuarit se sa dëmtim i ka shkaktuar çrregullimi një individi dhe nëse ata mundet që të grupohen në grupe me karakteristika të ngjashme. Qëllimi ynë është që të përftojmë më shumë informacion rreth autizmit dhe shkaqeve biologjike të tij në sajë të heterogjenitetit të larmishëm. Për rastet e rënda kjo mund të çojë në strategji terapeutike të targetuara. Nëse unë dihet shkaku biologjik i një çrregullimi, mundet të trajtohet më mire dhe shkaktarët gjenetikë janë kandidatët parësorë për këtë. Por faktorët mjedisorë që mund të veprojnë shumë herët, për shembull infeksionet gjatë shtatzanisë, për shembull, in utero, mundet të luajnë një rol në zhvillimin e autizmit.

Tiparet autike brenda nesh


Ehrenreich thotë se tiparet autike janë pjesë normale e repertorit të sjelljeve njerëzore dhe vetëm në rastet ekstreme ato mund të përbëjnë çrregullim. Nëse studiojmë gjithë popullsinë dhe masim tiparet autike te të gjithë, atëherë do të mund të kishim një spektër shumë të gjerë. Do të gjenim një numër të konsiderueshëm njerëzisht që kanë tiparë të dallueshme autike.


Autizmi, si duhet ta dallojnë prindërit?