Ndërkohë që disa njerëz mendojnë se janë vërtetë të qetë, të ftohtë dhe të përmbajtur, në të vërtetë ata nuk janë. Të paktën jo gjatë gjithë kohës.

Njerëzit përjetojnë ulje-ngritje emocionesh, ndjenjash dhe humori zakonisht në të përditshmen. Sipas të dhënave të grumbulluara përgjatë 25 viteve, këto emocione përhapen si “zjarri në pyll” nga një njeri te tjetri. Shpesh ato ndikojnë humorin e një grupi ose organizate në mënyrë pozitive ose negative.

Kjo dukuri shoqërore, e ashtëquajtur “emocionet ngjitëse” ose “përhapja e emocioneve”, u mundëson të gjithë njerëzve që të ndërveprojnë, ndikojnë jo vetëm në mënyrën se si ndihen, por edhe se si mendojnë ose sillen. “Emocionet ngjitëse” janë të qëndrueshme e ndikuese, e megjithatë në shumicën e kohës ne nuk e kemi idenë se çfarë po ndodh.

Sigal Barsade, profesoreshë e Universitetit të Pensilvanisë ka studiuar “emocionet ngjitëse” për më shumë se 25 vjet.

Ne si njerëz, “emocionet ngjitëse” i kemi një ndër “sistemet parësore të shpërndarjes së emocioneve,” thotë Barsade. “Emocionet ngjitëse janë veprimtari, në të cilën personi A ndjen deri në një farë pike emocionet që personi B po shfaq.”

Më poshtë do të eksplorojmë mënyrën se si t’i kuptojmë “emocionet ngjitëse”, si të parandalojmë humorin tonë të keq që të mos ndikojë negativisht te të tjerët dhe të përdorim konceptin e t’u bërit një forcë më pozitive në botë.

“Të kuptuarit e kësaj dukurie është si një formë vaksinimi kundrejt ‘emocioneve ngjitëse’,” thotë Barsade. “Ky është hapi i parë.”

Po iu paraqesim një strategji të mundshme, një seri e pajisur me këshilla për t’iu ndihmuar të arrini më të mirën e mundshme në jetë, karrierë dhe anën ekonomike.


PËRHAPJA E EMOCIONEVE


 Vite para se Barsade të përfundonte trajnimin në psikologji organizative, një situatë e zakonshme në zyrë e shtyu atë që të studionte mbi mënyrën se si përhapen emocionet.

Ajo po punonte në një zyrë të hapur pranë një kolegeje, e cila ishte tepër negative – e aftë për të rrënuar humorin e gjithë grupit të punës sa herë që ajo ishte pranë. Atmosfera negative nuk rritej për shkak të të bërtiturave të kësaj kolegeje, apo nga ajo çfarë thoshte, kujton Barsade. Përkundrazi, ishte shprehia e fytyrës së saj, mënyra si e përçonte zërin dhe energjia në përgjithësi.

Kur ajo u largua një javë për pushime, humori i tërë zyrës ndryshoi për mirë. Barsade ishte e shushatur nga ndikimi i fuqishëm që kishte gjëndja emocionale një individi mbi grupin. Ajo kaloi më tepër se dy dekada duke u përpjekur për ta kuptuar këtë gjë. 

“Emocionet ngjitëse” përkufizohen nga shkencëtarët si “një proçes, në të cilin një person ose një grup ndikon në emocionet ose sjelljen e një tjetër personi ose grupi në sajë të induktimit të vetëdijshëm, ose të pavetëdijshëm, të gjëndjes së tij emocionale ose të sjelljes së tij.”

Kjo dukuri vepron nëpërmjet dy rrugëve kryesore: imitimit të pavetëdijshëm të sjelljeve dhe feedback-ut (prapaveprimit) fiziologjik.

“JO VETËM QË IMITOJMË NDENJAT E TË TJERËVE; NE NË TË VËRTETË FILLOJMË QË T’I NDJEJMË VETË ATO”.

Kur dikush përreth nesh është i lumtur ose i zemëruar, ne padashur fillojmë që të passqyrojmë emocionet e tyre. Kjo përgjigje është e pavetëdijshme dhe buron nga evolucioni i një sjelljeje bazike. Kur jemi foshnje, ne imitojmë kujdestarët tanë dhe më pas vazhdojmë ta bëjmë këtë në shkallë të ndryshme përgjatë gjithë jetës. 

Në krye të këtij proçesi imitimi fillestar, muskujt tanë të fytyrës të lidhur me këto emocione diktojnë rrjedhën e gjakut në tru dhe në trup. Kjo teori është quajtur eferenca faciale (ndikimi i mimikës së fytyrës) dhe është një proçes, i cili na mundëson që të përjetojmë ndjesitë e një emocioni, si skuqja e fytyrës, ose fluturat në stomak. Shpesh njerëzit nuk janë të ndërgjegjshëm se po përjetojnë emocionet e dikujt tjetër dhe gabimisht ia dedikojnë ato diçkaje që mund të lidhet me jetën e tyre. “Ajo ç’ka kemi gjetur studim pas sdutimi është se njerëzit në përgjithësi nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh,” shpjegon Barsade. Kjo dukuri mund të jetë tepër “tinëzare” dhe ndaj është shumë e rëndësishme që njerëzit të jenë në dijeni për “emocionet ngjitëse”. 

“EMOCIONET NGJITËSE”, KUR PËRDOREN MIRË


 Në anën tjetër të monedhës, përhapja e emocioneve mund të ketë një ndikim tërësisht pozitiv.

“Përhapja e emocioneve qëndron në themel të ndërveprimit të njerëzve me njëri tjetrin, në dhënien e mbështetjes emocionale dhe empatike, e pranishme kjo që në kohët e lashtësisë,” thotë Barsade.

Kur ju rrethoheni nga njerëz pozitivë, kjo mund t’iu ndihmojë që të gjallëroheni edhe ju. Kjo iu ndodh individëve, grupeve të vogla, organizatave dhe shoqërisë në tërësi. 

Për t’u shënuar është se njerëzit që kanë më tepër aftësi që të përhapin emocionet e tyre te të tjerët janë ata që janë në pozita pushteti. Kjo ndodh sepse ne përthithim emocionet e atyre që iu kushtojmë më tepër vëmëndje: shefave tanë, bashkëshortëve apo edhe miqve tanë të ngushtë.

Në një studim të 2002-isht, Barsade studioi këtë dukuri në një grup studentësh të shkollës së biznesit. Ajo dhe grupi i saj i punës trajnuan një aktor që të shfaqte katër gjëndje të ndryshme emocionale: entuziazmin dhe gëzimin (energji të madhe dhe të këndshme), ngrohtësi të qetë (energji të paktë por të këndshme), irritueshmëri armiqësore (energji të madhe dhe të pakëndshme), plogështi dhe humor depresiv (energji e paktë dhe të pakëndshme).

Më pas, grupi i punës vërejti shprehjet e fytyrës së studentëve dhe përgjigjet e tyre emocionale ndërkohë që po plotësonin një sërë detyrash bashkëpunuese dhe konkuruese. Gjithashtu vetë studentët raportuan për gjendjen e humorit të tyre te studiuesit.

Pasi analizuan të dhënat, Barsade gjeti se çdo emocion që shprehte aktori iu përcillej dhe përthithej nga grupi. Ajo gjeti gjithashtu se emocionet pozitive ngjitëse – entuziazmi dhe gëzimi si dhe ngrohtësia – çonin në më pak mosmarrëveshje, më shumë bashkëpunim dhe ecuri shkollore më të mirë nga studentët.

“Ne jemi të gjithë induktorë të humorit,” thotë Barsade, duke ndikuar vazhdimisht humorin dhe rrjedhimisht edhe gjykimin dhe sjelljet e të tjerëve. Herës tjetër që mund të ndiheni të sikletosur, të mërzitur, ose në qiellin e shtatë, kini parasysh se si po e shfaqni atë te të tjerët. Kjo mund të ketë shumë më tepër ndikim te të tjerët nga sa ju mendoni.



PËR TË SHMANGUR RËNIEN NË KURTHIN “TINËZAR” TË EMOCIONEVE NGJITËSE, BARSADE KËSHILLON NDJEKJEN E HAPAVE TË MËPOSHTËM:



1. JINI I KUJDESSHËM:  Kini parasysh që mund të jeni duke u ushqyer nga emocionet e forta të dikujt tjetër dhe gjithashtu jini i kujdesshëm për humorin tuaj.

2. PËRDORNI GJUHËN E FOLUR:  Kur ju mundeni, pikasni burimin e emocioneve negative ngjitëse te ju ose te të tjerët. “Mënyra më e mirë, përfundimisht, për ta larguar atë është duke u përpjekur që ta adresosh çështjen drejtëpërdrejt,” thotë Barsade.

3. MOS I KUSHTONI VËMËNDJE: Përhapja e emocioneve varet nga vëmëndja, ndaj nëse diçka negative po iu ndikon, mundohuni që ta largoni atë nga fusha juaj e vëmëndjes. Fikni televizorin, shkëputuni nga mediat sociale për ca kohë, ose ndërroni temën e bisedës.

4. MENDOHUNI: Nëse ju jeni burimi i përhapjes së emocioneve, ju duhet të mendoheni rreth asaj që po bëni sepse mund të transmetohet te të tjerët. Ndërkohë nëse ju dëshironi që t’i ngrini humorin vetes, ju duhet gjithashtu të mendoheni rreth asaj që po kërkoni. Të rrethosh veten nga njerëz që kanë një humor më të mirë ose të parit e diçkaje që mund t’iu ngrejë humorin mund të përbëjë ndryshimin.


Dilema sociale: A po e ndikojnë vërtet rrjetet sociale mendjen tonë?