Kur djali i Arbrit u diagnostikua me ADHD, pediatri i fëmijës e këshilloi edhe Arbrin që të bënte një vlerësim për veten. Duke e përshkruar këtë “si një nga hapat zhvillimorë më të rëndësishëm” të jetës së tij, Arbri shpjegon se si diagnostikimi me ADHD ndryshoi gjithçka për të.

Në një intervistë ai shpjegon gjithçka mbi përjetimet e tij rreth kësaj ngjarjeje.

Unë isha vetëm 33 vjeç kur u diagnostikova me ADHD. Nuk isha në dijeni deri në atë kohë, por dita e diagnostikimit tim u shndërrua në një nga zhvillimet më të rëndësishme të jetës sime.

Gjatë periudhës së rritjes unë mahnitesha nga çdokush që ishte ambicioz dhe guximtar. Ndërkohë që në moshë të rritur nuk arrija ta kuptoja se si dikush mund të çonte një punë nga fillimi në fund. Vetë koncepti I të mbaruarit të një detyre ishte tërësisht i panjohur për mua. U rrita duke marrë të mirëqënë që jeta ishte bërë për ata që mundeshin dhe ata që nuk mundeshin – dhe padyshim unë isha ky i fundit.



Unë kam qenë gjithmonë shumë i aftë në shkollë, por notat e mia nuk e pasqyronin këtë. Në një dëftesë të zakonshme timen shkruhej gjithmonë diçka e tillë si “Arbri mundet që të bëjë shumë më tepër nëse ai do të mund të përqëndrohej”. Për shumicën e rasteve kjo ndodhte sepse përmbajtja e temave nuk më interesonte, ose ishte shumë e thjeshtë (ose shumë e vështirë). Unë isha vazhdimisht i bezdisur e i mërzitur.

Djali im lindi kur unë isha 24 vjeç. Ai lindi dy javë me vonesë dhe madje edhe atëherë ai nuk e kishte aspak me nxitim. Ai ishte tejet i lumtur që të qëndronte aty dhe të detyrohej që ta nxirrnin me forcë në botë. Tani ne bëjmë shaka në familje dhe themi që atij nuk i kishte kaluar afati, por thjesht ishte me vonesë.

Është e habitshme sa shumë ngjashmëri ka mes simptomave të ADHD-së dhe sjelljes së fëmijëve. Djali im ishte rreth katër vjeç kur u kuptua që dardha kish rënë nën dardhë. Ai ishte një djalë shumë i zgjuar – kjo ishte e dukshme - por haste vështirësi në gjërat e përditshme. Qoftë edhe detyrat e thjeshta i merrnin një kohë shumë të gjatë për t’u bërë. Ndonjëherë na duhej që të mbanim shënim numrin e herëve që diçka përsëritej deri sa të përfundonte. Ai nuk ishte fëmijë i keq – thjesht i ngadaltë. Ishte shumë herë më i lumtur nëse rrinte në botën e tij se sa të rrinte me pjesën tjetër të familjes. Ai vazhdimisht mërzitej.

Ne kishim shumë teori se përse djali ynë sillej ashtu, por ADHD-ja nuk ishte e para në këtë listë. Pas rrugëtimit të gjatë dhe të shtrenjtë të proçesit të diagnostikimit të tij, ishte pediatri i djalit që më këshilloi të bëja edhe unë një vlerësim për veten. Ne i kishim treguar atij rreth ngjashmërive që kishim me njëri tjetrin dhe ai gjithashtu kishte vënë re vetë disa ngjashmëri mes nesh. Çuditërisht ne kurrë nuk kishim arritur që ta bënim lidhjen e megjithatë ishte kaq e dukshme kur ai na e vuri në pah.

Proçesi i vlerësimit për mua ishte shumë më i shpejtë. Aspekti gjenetik i ADHD-së bëri që të kapërceja shumë hapa, që për djalin tim nuk ishte e mundur para se të diagnostikohej. Unë u diagnostikova brenda disa javësh dhe fillova menjëherë mjekimin. Ndryshimin që pata është e vështirë që ta shpreh me fjalë. Ishte njësoj sikur dikush të më kishte larguar një perde nga sytë. Brenda pak ditësh unë isha i aftë që të organizoja mendimet e mia. Mund të përqëndrohesha. Arrita që të përjetoja një copëz të jetës së atyre që “mundeshin”. Nuk zgjati shumë dhe unë isha i aftë që t’i përfundoja detyrat që nisja.

Që prej asaj periudhe gjërat kanë ardhur duke u përmirësuar dhe duke fituar një aftësi të re. Unë jam në periudhën më të mirë të jetës sime. Martesa ime është si ajo që përshkruhet në libra (nga ato historitë e bukura). Unë kam patur suksese të jashtëzakonshme në karrierë dhe madje kam marrë një çertifikatë në fushën e industrisë, të cilën e zotërojnë vetëm 400 veta në të gjithë botën. Me pak fjalë unë po ia dal shkëlqyeshëm në jetë.

Pavarësisht gjithë gjërave të mira që më ka sjellë diagnostikimi, unë bëj më të mirën që të mos harroj se nga kam ardhur. Jam një nga ata fatlumët. Stigma lidhur me ADHD-në nënkupton që ka shumë njerëz që nuk janë diagnostikuar ende. Ka gjithashtu një numër të madh njerëzish që janë diagnostikuar por nuk kanë përgjigje të mirë ndaj mjekimit. Unë do të jem përherë mirënjohës për fatin tim, edhe pse u desh një kohë e gjatë deri sa arrita këtu. Më mirë vonë se sa kurrë. 

Mbi të gjitha me ndershmëri mund të them se pjesa më e mirë e diagnozës simë është lidhja që më mundëson me djalin. Ne e kuptojmë njëri tjetrin në mënyra që të tjerët nuk munden. Ne e shohim botën njësoj. Atij nuk do t’í duhet të përpiqet të jetë “sic duhet”. Ai do ia dali mbanë në jetë që në fillim të saj. 

Të jetosh me ADHD-në: si mësova të përdor shpërqëndrimin në të mirën tim