Lot dhe kriza inati - këto janë fjalët me të cilët prindërit e përshkruajnë eksperiencën e të mësuarit online për fëmijët e tyre me Çrregullim të Vëmendjes së Pamjaftueshme dhe Hiperaktivitetit (ADHD). Pa mbështetjen e zakonshme nga mësuesit dhe pa prezencën e ambienteve familjare të klasës, pa rregullat dhe strukturën e zakonshme, lufta për të qëndruar të organizuar dhe për të përparuar me mësimet dhe detyrat e shtëpisë është bërë papritur shumë e vështirë.

ADHD
konsiderohet si një nga çrregullimet më të zakonshme të neurozhvillimit në fëmijëri. Nga mesi i shkollës fillore dhe të mesme, simptomat mund të përfshijnë vështirësi në fillimin dhe përfundimin e detyrave, shqetësim kur nuk janë të përfshirë në një aktivitet, punë të nxituara dhe të çrregullta dhe probleme në ndjekjen e instruksioneve me shumë hapa.

ADHD-ja ndikon të gjithë trurin. Truri nuk prodhon mjaft dopaminë ose epinefrinë, elementë që janë të rëndësishëm për vetëkontrollin dhe vetë-rregullimin. Pra, nxënësit me ADHD nuk mund të rregullojnë impulset, vëmendjen dhe emocionet e tyre. Ata luftojnë me të qenin të paorganizuar dhe me menaxhimin e kohës.

Mësimi online paraqet një problem të veçantë. Studiuesit kohët e fundit zbuluan se 31% e prindërve të fëmijëve me ADHD e përshkruajnë mësimin në distancë si "shumë sfidues" dhe me shumë vështirësi për të mbështetur fëmijët e tyre në shtëpi. Mësuesit dhe nxënësit gjithashtu mund të jenë në disavantazh. Në klasën fizike, mësuesit zakonisht mund të shohin kur studentët me ADHD janë konfuzë, të hutuar apo kanë nevojë për një nxitje të shpejtë për t'u ripërqendruar, por kjo gjë është thuajse e pamundur gjatë orës së mësimit online. Dhe për shkak se të mësuarit nga shtëpia është përgjithësisht më i pavarur, kërkon më shumë përqendrim dhe organizim, dy cilësi që shpesh janë në mungesë te nxënësit me ADHD.

Për të mbështetur fëmijët me ADHD në shkollën fillore dhe të mesme, mësuesit duhet të mbështeten në bazat e mësimdhënies inteligjente në internet: pushime të herëpashershme të trurit dhe trupit, ndarje mësimesh në njësi më të shkurtra dhe përpjekje për marrje reagimesh nga studentët e tyre, e sidomos nga ata me ADHD, sa më shpesh të jetë e mundur.

Për të gjithë mësuesit kemi përmbledhur disa këshilla se si mund të ndihmoni fëmijët me ADHD:

Gjeni se si mësojnë më mirë nxënësit dhe mbështeteni ata.


Mësimet që janë të përsëritura dhe të gjata, që kërkojnë përpjekje intensive mendore, janë të vështira për shumicën e fëmijëve, por ato janë veçanërisht të vështira për nxënësit me ADHD, të cilët mërziten dhe shpërqendrohen lehtë. Përfshirja e qëllimshme e një elementi me zgjedhje mund t'i angazhojë studentët me ADHD dhe t'i aftësojë ata që të mbajnë vëmendjen më gjatë. Ka gjithashtu një hulumtim që tregon se kur futet një aktivitet tjetër gjatë orës së mësimit, që tërheq vëmendjen në një drejtim tjetër, të themi, të qëndrosh në këmbë për disa minuta gjatë mësimit online ose të dëgjosh muzikë të butë në sfond ndërsa punon me probleme të matematikës, kjo mund të ndihmojë trurin e fëmijëve të fokusohen në detyrën kryesore.

A.J., një student 15-vjeçar na ka treguar se preferon të ndjekë mësimin online prej celularit të tij sepse kjo e lejon atë të lëvizë nëpër shtëpi ose të shëtisë në oborrin e shtëpisë pa humbur asnjë moment të mësimit. Mbajtja e trupit të zënë e ndihmon atë të qëndrojë i përqendruar, telefoni është thjesht për lehtësi: "Është më e vështirë të ecësh rrotull me një laptop", shpjegon ai.

Kur nxënësit me ADHD lejohen të lëvizin nga pak, ata janë në gjendje të përqendrohen më mirë.

Ndihmojini për të kujtuar oraret dhe kohëzgjatjen e detyrave.


Nxënësit me ADHD kanë vështirësi për të mbajtur mend oraret. Vendosja e lajmërimeve në telefonat e tyre për kohën e fillimit të mësimit, mbajtja shënim e afateve dhe elementë të tjerë mund të ndihmojnë.

Gjatë periudhave të pavarura kur fëmijët mësojnë nga shtëpia, teknikat e menaxhimit të kohës si Teknika Pomodoro (vendosja e një kohëmatësi dhe përqendrimi në një detyrë specifike për 25 minuta, pastaj bërja e një pushimi pesë minuta, e më tej kthimi në detyrë) mund t'i ndihmojë fëmijët të qëndrojnë në mënyrë të vazhdueshme produktivë.

Për shkak se organizimi mund të jetë sfidues, sepse shumë shkolla vazhdojnë të rregullojnë oraret e tyre në distancë duke u kërkuar studentëve të mbajnë ritmin e programeve gjithnjë në ndryshim, fëmijët kanë nevojë për orare të qarta, lehtësisht të kuptueshme. Publikoni orare ditore në një hapësirë të vetme dhe përpiquni të mos e ndryshoni atë rutinë.

Këto lloj strategjish do të ndihmojnë në kufizimin e ankthit kur studentët vonohen ose nuk e dinë se çdo të ndodhë në vazhdim. Nëse ndonjë fëmijë e fillon klasën në panik, ai/ajo nuk do të performojë mirë në klasë, askush nuk duhet të ndihet kështu. Nëse shihni nxënës që hyjnë vonë dhe ndjehen të shqetësuar, flisni fjalë qetësuese për t'i ndihmuar ata të vetë-rregullohen.

Filloni me tablonë e gjerë, më tej ndajeni temën në fragmente


Fëmijët me ADHD zakonisht kanë vështirësi të lidhura me funksionet ekzekutive. Funksionet ekzekutive janë kapacitetet e vetëkontrollit të trurit; ato na lejojnë të mbështesim veprimin dhe zgjidhjen e problemeve drejt një qëllimi.

Një nga këto funksione ekzekutive është aftësia për të përdorur atë që njihet si "memorie jo verbale të punës" për të krijuar harta mendore për të drejtuar sjelljen në mënyrë që të mund të arrijmë një qëllim, dhe të kujtojmë sekuencën e hapave të nevojshme për ta bërë atë. Një detyrë shtëpie komplekse, me shumë hapa pa instruksionet e duhura, për shembull, mund të jetë një pengesë e madhe për një fëmijë me ADHD.

Është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët me ADHD të fillojnë me tablonë e gjerë dhe më pas të kalojnë në copëza më të vogla. Ata duhet të shohin pyllin, pastaj pemët. Sipas hulumtimeve nxënësit me ADHD mësojnë më mirë kur mësuesit e paraqesin një temë të re duke shpjeguar së pari idenë e përgjithshme, oqeani po ngrohet, për shembull, në vend që të japin përshkrime të hollësishme se si ngrohja e oqeaneve mund të ndikojnë te kafshët. Filloni me idenë më të madhe së pari, pastaj specifikat.

Bëni pushim për trupin dhe trurin


Të gjithë fëmijët përfitojnë nga pushimet e shkurtra gjatë ditës së shkollës, por për fëmijët me ADHD, pushimi i rregullt nga mësimi online është thelbësor për ruajtjen e fokusit.

Për t'i ndarë mësimet në fragmente të shkurtra, bëni pushime të rregullta, psh. kufizoni kohën e mësimit në periudha prej 30 minutash "për të çliruar energjinë e tepërt". Përtej gjysmës së orës fëmijët më të vegjël nuk mund të thithin informacion.

Dhe për shkak se fëmijëve që mësojnë nga shtëpia u mungojnë mundësitë për t'u shoqëruar me bashkëmoshatarët e tyre, rekomandohet organizimi i takimeve të pa strukturuara online, posaçërisht për fëmijët që "të rrotullohen dhe të flasin, pa plan" me njëri-tjetrin. Ata kanë gjithashtu nevojë për atë lloj ndërveprimi shoqëror.

Fjalëkyçe:
adhd shqip / hiperaktiviteti te femijet / mungesa e vemendjes te femijet