Ia vlen të provoni disa ndryshime në stilin e jetesës para se të nisni përdorimin e ilaçeve për menaxhimin e refluksit gastroezofageal. Nëse keni ngjirje zëri dhe dhimbje fyti, mund të jeni ftohur ose të jeni me grip por nëse i keni pasur këto simptoma për një kohë të gjatë ato mund të shkaktohen jo nga një virus por nga një valvul – sfinkteri i poshtëm i ezofagut. Ky është muskuli që kontrollon kalimin e ushqimit midis ezofagut dhe stomakut dhe kur nuk mbyllet plotësisht, acidi i stomakut dhe ushqimi kthehen përsëri në ezofag. Termi mjekësor për këtë proces është refluksi gastroezofageal, kthimi mbrapsht i acidit quhet refluks.


Refluksi gastroezofageal mund të shkaktojë dhimbje fyti dhe ngjirje të zërit dhe mund të lërë shije të keqe në gojë. Kur refluksi shkakton simptoma kronike njihet si çrregullimi i refluksit gastroezofageal ose GERD. Simptoma më e zakonshme e GERD është urthi, dhimbja në pjesën e sipërme të barkut dhe gjoksit që ndonjëherë duket sikur jeni duke përjetuar atak kardiak.

Nëse keni pasur episode të përsëritura të urthit ose ndonjë simptomë tjetër të refluksit, mund të provoni këto këshilla:

1.Hani në sasi të kontrolluara dhe me ngadalë


Kur stomaku është i tejmbushur, mund të ndodhë më shumë refluks në ezofag. Nëse ju përshtatet me orarin e punës/shkollës mund të provoni të hani më shpesh vakte të vogla gjatë ditës, sesa tre vakte të plota në ditë (mëngjesi, dreka, darka).


2.Shmangni disa ushqime


Ka disa ushqime që ka më shumë të ngjarë të shkaktojnë refluks sesa të tjerat duke përfshirë nenexhikun, ushqimet me yndyrë, ushqimet pikante, domatja, qepa, hudhra, kafeja, çaji, çokollata dhe alkooli. Nëse konsumoni ndonjë prej këtyre ushqimeve rregullisht, mund të përpiqeni ta eleminoni për të parë nëse kështu mund të menaxhoni më mirë refluksin dhe provoni t’i shtoni përsëri një nga një.


3.Mos pini pije të gazuara


Pijet e gazuara ju shkaktojnë gromësima të cilat çojnë acid në ezofag. Në vend të ujit të gazuar pini ujë normal.


4.Mos u shtrini menjëherë pasi hani


Kur qëndroni në këmbë apo edhe ulur graviteti ndihmon në mbajtjen e acidit në stomak, aty ku duhet të jetë. Duhet të hani tri orë para se të shkoni në shtrat që do të thotë se nuk duhet të dremisni menjëherë pas drekës dhe as të hani darkën në mesnatë.


5.Mos bëni ushtrime menjëherë pas ushqimit


Shmangni ushtrimet impenjative disa orë pas ngrënies. Një shëtitje pasi keni konsumuar drekën është e pranueshme por një stërvitje me ushtrime fizike shumë impenjative, veçanërisht nëse përfshin përkulje, mund të jetë shkaktare e kalimit të acidit në ezofag.


6.Rregulloni pozicionin e gjumit


Koka duhet të jetë 15-20 cm më lart se këmbët. Kjo mund të arrihet duke shtuar pjesë ngritëse në këmbët e krevatit për të arritur ndryshimin në lartësi. Nëse kjo zgjidhje nuk i përshtatet partnerit tuaj, mund të përdorni jastëk mbështetës në formë prizmi me bazë trekëndore. Nëse përpiqeni të krijoni lartësi duke bërë grumbull disa jastëk të thjeshtë, nuk do të funksionojë pasi nuk të mund të përfitoni prej tyre mbështetjen uniforme që ju nevojitet.


7.Nëse ju këshillohet konsideroni humbjen në peshë


Shtimi në peshë përhap strukturën muskulore që mbështet sfinkterin e poshtëm të ezofagut duke ulur presionin që mban sfinkterin të mbyllur. Kjo çon në refluks dhe urth.


8.Hiqni dorë nga duhani


Nikotina mund të shkaktojë relaksim të sfinkterit të poshtëm të ezofagut.


9.Kontrolloni ilaçet që përdorni


Disa ilaçe përfshirë estrogjenin pas menopauzës, antidepresantët triciklik dhe qetësuesit e dhimbjeve anti-inflamatore mund të relaksojnë sfinkterin, ndërsa të tjera veçanërisht bifosfonatet si alendronate, ibandronate ose risedronate, të cilat merren për të rritur densitetin e kockave, mund të irritojnë ezofagun.

Nëse këto këshilla nuk janë efektive ose nëse keni dhimbje të forta ose vështirësi në gëlltitje, kërkoni ndihmë nga mjeku juaj për të përjashtuar shkaqet e tjera pasi ndonjëherë këshillat e mësipërme nuk mund të mjaftojnë për të kontrolluar simptomat dhe mund të nevojitet ndihmë nga mjeku specialist.


7 shenja të kancerit të stomakut