Shumë njerëz që do të përfitonin nga marrja e statinave nuk i marrin ato sepse janë të shqetësuar për efektet anësore. Por, a është risku i efekteve anësore më madh se përfitimi që marrim nga përdorimi i statinave?

Çfarë janë statinat?


Statina është emri i shkurtuar i barnave, që ndihmojnë në uljen e kolesterolit, të quajtur frenues të HMG-CoA reduktazës. Ato quhen statina sepse emri i secilit prej këtyre medikamenteve përfundon me "-statin" (të tilla si atorvastatin, rosuvastatin, simvastatin, etj.)

Medikamentet me statina janë ndër barnat më të përshkruara në botë. Ato janë gjithashtu nga më të diskutueshmet.

Edhe nëse nuk merrni statina, ka të ngjarë të keni dëgjuar ose lexuar për efektet e tyre anësore. Mund të keni dëgjuar se ato shkaktojnë dëmtim të mëlçisë, çojnë në probleme të kujtesës dhe në dëmtim të muskujve, madje që mund të shkaktojnë edhe gjendje kërcënuese për jetën, të ashtuquajtur rabdomiolizë.

Ka një element të së vërtetës në këtë, por realiteti është krejt i ndryshëm nga sa mund të mendoni.

Hapi i parë për të vendosur nëse statinat janë të përshtatshme për ju është të kuptoni rreziqet dhe përfitimet.

Cilat janë përfitimet nga përdorimi i statinave?


Kjo është një çështje e rëndësishme për t'i kushtuar vëmendje nëse po mendoni të merrni një terapi me statina. Statinat janë ndër barnat më të përshkruara sepse ka një mori të dhënash nga studimet, që ato ulin rrezikun e sulmit në zemër, goditjes në tru dhe vdekjes, tek personat me rrezik të lartë për sëmundje të zemrës.

Statinat mund të jenë medikamenti më i studiuar në historinë mjekësore, me më shumë se 40 studime klinike, ku statinat janë krahasuar me placebo dhe kanë treguar se ulin rrezikun e sulmit në zemër, goditjes në tru, dhe vdekjes, në një grup me rrezik të lartë. Midis mjekëve, nuk ka më diskutim nëse statinat funksionojnë në pacientët me rrezik të lartë. Debati më i shpeshtë është se si të përkufizojnë riskun e lartë.

Përsa i përket riskut dhe përfitimeve, përfitimet janë të qarta. Pothuajse në të gjitha popullatat me rrezik të lartë (përjashtim janë ata me probleme të veshkave - në dializë ose insufiçencë kardiake) të studiuar, përdorimi i statinave shkaktonte 20% -40% më pak sulme në zemër, goditje në tru apo vdekje në krahasim me placebo.

Cilat janë rreziqet e statinave?


Ashtu si të gjitha barnat, statinat mund të shkaktojnë efekte anësore. Në shumicën e studimeve (dhe përvojën klinike), efektet anësore ndodhin në rreth 10% të njerëzve që marrin terapi me statina.

Efektet anësore shqetësuese të tilla si inflamacioni i mëlçisë (nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar të dështimit të mëlçisë për shkak të statinave) apo shkatërrim në nivel jetë-kërcënues i muskujve janë jashtëzakonisht të rralla.

Pavarësisht se shumë i rrallë, efekti anësor më i zakonshëm i statinave është dhimbja e muskujve, e quajtur gjithashtu mialgji. Por nëse kjo është për shkak të mjekimit apo pritshmërive tona për efektet e mundshme anësore (të quajtur "efekti nocebo") është e diskutueshme. Disa studime kanë treguar se efektet anësore janë afërsisht të njëjta kur një placebo krahasohet me statinat. Bazuar në këtë, disa mjekë mendojnë se janë mendjet tona, dhe jo trupat tanë që shkaktojnë dhimbje të muskujve prej statinave.

Kjo teori është e mundur, problemi mund të jetë "efekti nocebo", por mos-llogaritja e simptomave nuk është e dobishme dhe nuk i bën ato më pak reale.

Po sikur të keni pasur efekte anësore prej statinave?


90% ose më shumë e njerëzve mund të marrin një terapi me statina pa pasur efekte anësore. Por nëse nuk jeni një prej tyre, këtu janë tre pika thelbësore të cilat duhen theksuar:

Të njohim dhe pranojmë që mendja jonë është e fuqishme dhe efekti nocebo është i vërtetë. Nëse nuk jeni të sigurt nëse simptomat tuaja janë vërtet nga statinat apo jo, flisni me mjekun tuaj për të parë nëse mund të gjeni një regjim që funksionon për ju.

Vetëm se keni pasur efekte anësore nga një lloj statine nuk do të thotë që të tjerat nuk do të funksionojnë për ju. Statina të ndryshme, doza ose orare alternative mund të jenë efektive. Nën mbikëqyrjen e një mjeku, statinat janë pothuajse gjithmonë të sigurta.

Pyesni mjekun tuaj nëse medikamentet e tjera për kolesterolin janë një mundësi. Si p.sh. Ezetimibe ashtu edhe barnat me antitrupa PCSK9 kanë treguar që ulin rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru.

Nëse nuk jeni i vendosur për marrjen e një terapie me statina, nuk jeni vetëm. Vendimi për të marrë statina ose jo është kompleks dhe më së miri merret gjatë një diskutimi midis jush dhe mjekut tuaj. Sigurohuni dhe pyesni për rreziqet në krahasim me përfitimet dhe gjithashtu nëse ka alternativa që do të ishin të përshtatshme për ju.
Gjithçka mbi kolesterolin