Për të rritur shanset tuaja për të mbetur shtatzënë, ndihmon të dini kur jeni në ovulim. Atëherë do të dini edhe se kur ju dhe partneri juaj duhet të kryeni marrëdhënie seksuale.

Ovulimi ndodh në gjysmën e ciklit tuaj. Cikli i çdo gruaje është i ndryshëm, prandaj duhet t’i kushtoni vëmendje shenjave.

Ka shumë mënyra që mund të dalloni nëse është koha e duhur.

Cilat janë simptomat e ovulimit?


  • Më poshtë renditen shenjat që mund të keni kur trupi juaj lëshon një vezë:

    Temperatura juaj bazale ose e pushimit bie pak, pastaj rritet përsëri. Mund të përdorni një termometër të veçantë për të kontrolluar temperaturën tuaj çdo mëngjes para se të ngriheni nga shtrati. Jeni më pjellore 2 ose 3 ditë para se të rritet temperatura.

    Mukusi juaj i qafës së mitrës bëhet më i qartë dhe i hollë me një konsistencë të rrëshqitshme, si të bardhat e vezëve.

    Gjithashtu mund të vini re:

    - Gjinj të ndjeshëm
    - Fryrje të barkut
    - Dhimbje të lehtë në fund të barkut (si krampe)

    Por këto simptoma nuk nënkuptojnë gjithmonë që keni ovulim.

Si të gjurmoni simptomat e ovulimit


Shënoni në kalendarin tuaj

Mbani shënim se kur fillojnë dhe mbarojnë menstruacionet tuaja dhe mundohuni të kuptoni sa zgjat cikli juaj. Mjekët thonë se më e mira është të kesh marrëdhënie seksuale të paktën një herë në dy ditë, veçanërisht gjatë 5 ditëve përpara ovulimit. Ata e quajnë këtë "dritarja juaj fertile". Veza jeton vetëm për rreth 12 deri në 24 orë. Por spermatozoidi mund të mbijetojë për disa ditë brenda trupit tuaj, kështu që është ideale të jenë tashmë atje duke pritur për vezën tuaj.

Shikoni për ndryshimet e trupit

Nivelet e hormoneve ndryshojnë gjatë gjithë ciklit menstrual. Gjatë gjysmës së parë, vezoret tuaja prodhojnë hormonin estrogjen. Kur nivelet tuaja të estrogjenit bëhen mjaft të larta, vezorja lëshon një vezë. Pastaj trupi fillon të prodhojë progesteron, një tjetër hormon. Kjo e bën temperaturën e trupit tuaj të rritet pak.

Hormonet tuaja gjithashtu ndryshojnë strukturën e mukusit të qafës së mitrës, lëngun ngjitës që vjen nga qafa e mitrës.. Ndërsa trupi juaj bëhet gati për të ovuluar, prodhoni më shumë mukus. Konsistenca dhe përmbajtja e tij ndihmojnë që spermatozoidi të notojë brenda trupit tuaj. Kur mukusi ka përmbajtje të tillë, duhet të jeni në dritaren tuaj fertile.



Paketat parashikuese të ovulimit


Këto teste (kite), të cilat mund t’i blini në farmaci, ju japin një ide më të saktë se kur të prisni dritaren tuaj fertile/pjellore. Ato testojnë urinën tuaj për të matur nivelin e hormonit luteinizues (LH), i cili rritet në 24 deri në 36 orë përpara se të ovuloni. Kur nivelet tuaja të LH janë më të larta, jeni në dritaren pjellore.

Paketat përmbajnë mjaft shirita provë për t'ju lejuar të kontrolloni nivelet e LH disa herë gjatë ciklit tuaj menstrual. Filloni testimin disa ditë përpara se të mendoni se mund të keni ovulim, pastaj përsërisni disa herë gjatë ditëve të ardhshme për të përcaktuar saktë ditën.

Testet e ovulimit të progesteronit


Këto teste mund të zbulojnë nëse keni ovuluar. Ato shikojnë nivelet e metabolitit të progesteronit (glukuronid i pregnanediolit ose PdG) në urinën tuaj.

Nivelet e PdG zakonisht rriten 24-36 orë pasi të keni ovuluar, kështu që testet janë shumë të sakta. Filloni të testoni nivelet përpara ciklit tuaj menstrual të parashikuar. Këto teste gjithashtu kanë disa shirita për t'ju lejuar të kontrolloni nivelet e progesteronit gjatë gjithë ciklit tuaj.

Një dhimbje sëmbuese


Është e mundur që disa gra ta ndjejnë ovulimin, por shumë të tjera nuk e vërejnë dot atë. Mund të ndjeni një dhimbje të lehtë në anë të fund-barkut, zakonisht në gjysmën e ciklit tuaj menstrual. Por nëse jeni duke u përpjekur të mbeteni shtatzënë, mos prisni për këtë dhimbje të vogël. Ajo tregon që dritarja juaj pjellore së shpejti po mbyllet.

Kur ndodh ovulimi?


Nëse cikli juaj menstrual zgjat 28 ditë dhe periodat tuaja ju vijnë në kohë, ka të ngjarë që të ovuloni ditën e 14. Kjo përkon me gjysmën e ciklit tuaj. Dritarja juaj pjellore fillon në ditën 10. Keni më shumë të ngjarë të ngeleni shtatzënë nëse keni marrëdhënie seksuale të paktën çdo 2 ditë midis ditëve 10 dhe 14 të një cikli 28-ditor.

Sa zgjat ovulimi?


Dritarja juaj pjellore zgjat zakonisht 4-5 ditë. Këto janë ditët që i paraprijnë ovulimit.

Pyesni gjinekologun


Disa gra nuk ovulojnë me një program të caktuar. Nëse nuk mund ta kuptoni se kur ndodh ose nëse cikli juaj menstrual nuk është i rregullt, kërkoni ndihmë nga gjinekologu.

Cikli menstrual dhe shenjat e ovulimit