Mjekët i përdorin testet e tiroides për të kontrolluar funksionin e gjëndrës tiroide si dhe për të gjetur shkakun e problemeve të tilla si hipertiroidizmi ose hipotiroidizmi. Tiroidja është një gjëndër e vogël, në formë fluture, e vendosur në pjesën e përparme të qafës, e cila prodhon dy hormone: tiroksinë (T4) dhe trijodotironinë (T3). Hormonet e tiroides kontrollojnë mënyrën se si trupi përdor energjinë, kështu që ato prekin pothuajse çdo organ në trupin tuaj.


Testet e tiroides ndihmojnë mjekët të diagnostikojnë sëmundjet e tiroides si p.sh.:


- Hipertiroidizmi, kur nivelet e hormoneve tiroide janë shumë të larta
- Sëmundja/Morbus Graves, shkaku më i zakonshëm i hipertiroidizmit
- Hipotiroidizmi, kur nivelet e hormoneve tiroide janë shumë të ulëta
- Sëmundja Hashimoto, shkaku më i zakonshëm i hipotiroidizmit
- Noduset e tiroides dhe tumoret e tiroides

Mjeku juaj do të fillojë me analizat e gjakut dhe më tej mund të kërkojë ekzaminime imazherike.

Cilat analiza të gjakut përdorin mjekët për të kontrolluar funksionin e tiroides?


Mjekët mund të kërkojnë një ose më shumë teste të gjakut për të kontrolluar funksionin e tiroides. Testet mund të përfshijnë dozimin e hormonit stimulues të tiroides (TSH), të hormoneve T4, T3 si dhe antitrupat e tiroides.

Për këto analiza, do të merret gjak nga krahu juaj, i cili më pas dërgohet në laborator. Për rezultatet e këtyre analizave duhet të flinis gjithmonë me mjekun tuaj.

TSH


Mjekët zakonisht kontrollojnë sasinë e TSH në gjak të parën. TSH është një hormon i prodhuar në hipofizë që i tregon tiroides se sa T4 dhe T3 duhet të prodhojë ajo vetë.

Niveli i lartë i TSH në më të shumtën e rasteve tregon që keni hipotiroidizëm, ose tiroide jo aktive. Kjo do të thotë që tiroidja juaj nuk po prodhon mjaftueshëm hormone. Si rezultat, hipofiza vazhdon të çlirojë TSH në gjak.

Niveli i ulët i TSH zakonisht do të thotë që keni hipertiroidizëm, ose tiroide shumë aktive. Kjo do të thotë që tiroidja juaj po prodhon shumë hormone, kështu që hipofiza ndalon së prodhuari dhe çliruari TSH në gjak. Nëse rezultatet e analizës së TSH nuk janë normale, do t'ju duhet të paktën një analizë tjetër për të ndihmuar në gjetjen e shkaktarit të problemit.

Analiza e gjakut për T4


Niveli i lartë i T4 në gjak mund të jetë një tregues i hipertiroidizmit. Një nivel i ulët i T4 mund të tregojë që keni hipotiroidizëm. Por ka edhe raste kur nivelet e larta ose të ulëta të T4 nuk nënkuptojnë se keni probleme me tiroiden. Nëse jeni shtatzënë ose jeni duke marrë kontraceptivë oralë, nivelet tuaja të hormoneve të tiroides mund të jenë më të larta. Sëmundjet e rënda ose përdorimi i kortikosteroideve mund të ulin nivelet e T4. Këto gjendje dhe barna ndryshojnë sasinë e proteinave në gjakun tuaj që "lidhen" ose bashkohen me T4. T4 i lidhur mbahet në rezervë në gjak derisa të jetë e nevojshme. T4 "i lirë" (fT4) nuk është i lidhur me këto proteina dhe është i disponueshëm për të hyrë në indet e trupit. Për shkak se ndryshimet në nivelet e lidhura të proteinave nuk ndikojnë në nivelet e T4 së lirë, shumë mjekë preferojnë të matin T4 e lirë.

Analiza e gjakut për fT3


Nëse mjeku juaj mendon se mund të keni hipertiroidizëm edhe pse niveli juaj i T4 është normal, mund të bëni një test T3 për të konfirmuar diagnozën. Ndonjëherë T4 është normal por T3 është i lartë, kështu që matja e niveleve T4 dhe T3 mund të jetë e dobishme në diagnostikimin e hipertiroidizmit.

Analiza e antitrupave të tiroides


Matja e niveleve të antitrupave të tiroides mund të ndihmojë në diagnostikimin e një çrregullimi autoimun të saj, siç është sëmundja Graves, shkaktari më i zakonshëm i hipertiroidizmit, apo sëmundja Hashimoto, shkaku më i zakonshëm i hipotiroidizmit. Antitrupat e tiroides sintetizohen kur sistemi juaj imunitar sulmon gjëndrën tiroide gabimisht. Mjeku juaj mund të kërkojë analiza të antitrupave të tiroides nëse rezultatet e analizave të tjera të gjakut sugjerojnë sëmundjen e tiroides.


Çfarë ekzaminikesh imazherike përdorin mjekët për të diagnostikuar dhe gjetur shkakun e sëmundjeve të tiroides?


Mjeku juaj mund të kërkojë një ose më shumë ekzaminime imazherike për të diagnostikuar dhe gjetur shkakun e sëmundjes së tiroides.

Ekografia e tiroides


Ekografia e tiroides përdoret më shpesh për të kërkuar, nga afër për noduse të tiroides. Ekografia mund ta ndihmojë mjekun të kuptojë nëse noduset kanë të ngjarë të jenë me natyrë tumorale apo jo. Ekografia është një ekzaminim pa dhimbje dhe mund të zgjasë rreth 30 minuta.

Shintigrafia e tiroides


Mjekët përdorin një skaner të tiroides për të parë ndryshime të mundshme të gjëndrës tiroide dhe për të vlerësuar noduse të mundshme. Ky test përdor një sasi të vogël të jodit radioaktiv për të ndihmuar në gjetjen e shkakut të hipertireozës dhe kontrollin e noduseve të tiroides. Mjeku juaj mund t'ju kërkojë të shmangni ushqimet ose barnat që përmbajnë jod, për një javë para testit.

Për të realizuar skanerin, një teknik injekton një sasi të vogël të jodit radioaktiv ose një substancë të ngjashme në një venë tuajën. Ju gjithashtu mund ta gëlltisni substancën në formë të lëngshme ose kapsule. Skanimi bëhet 30 minuta pas injeksionit, ose deri në 24 orë pasi të keni gëlltitur substancën, kështu që tiroidja juaj ka kohë të mjaftueshme për ta përthithur atë.

Gjatë skanimit, do të shtriheni në një shtrat të posaçëm ndërsa një aparat fotografik special bën fotografime të tiroides suaj. Skanimi zakonisht zgjat 30 minuta ose më pak.

Noduset e tiroides që prodhojnë shumë hormone të tiroides shfaqen qartë në fotografi. Jodi radioaktiv që shfaqet mbi tërë tiroiden mund të sugjerojë që keni Morbus Graves. Edhe pse nevojitet vetëm një sasi e vogël e rrezatimit për një skanim të tiroides dhe mendohet të jetë i sigurt, nuk duhet ta bëni këtë test nëse jeni shtatzënë ose jeni duke dhënë gji.

Prova e përthithjes së jodit radioaktiv


Një test i përthithjes së jodit radioaktiv, i quajtur gjithashtu një test i përthithjes së tiroides, mund të ndihmojë në kontrollin e funksionit të tiroides dhe gjetjen e shkakut të hipertireozës. Tiroidja "përthith" jod nga gjaku për të prodhuar hormone të tiroides, prandaj kjo quhet një test i përthithjes. Mjeku juaj mund t'ju kërkojë të shmangni ushqimet me shumë jod, ose barnat që përmbajnë jod për një javë para testit.

Për këtë provë, do të gëlltisni një sasi të vogël të jodit radioaktiv në formë të lëngshme ose kapsule. Gjatë provës, do të uleni në një karrige ndërsa një teknik vendos një pajisje të quajtur sondë gama para qafës suaj, afër gjëndrës tiroide. Sonda mat se sa jod radioaktiv përthith tiroidja juaj prej gjakut. Matjet shpesh bëhen 4 deri në 6 orë pasi të keni gëlltitur jodin radioaktiv dhe përsëri pas 24 orësh. Testi zgjat vetëm disa minuta.

Nëse tiroidja juaj thith një sasi të madhe të jodit radioaktiv, mund të vuani nga Sëmundja Graves, ose mund të keni një apo më shumë noduse që prodhojnë shumë hormone të tiroides. Ky test mund të bëhet në të njëjtën kohë me një skanim të tiroides.

Edhe pse testi përdor një sasi të vogël rrezatimi dhe mendohet të jetë i sigurt, nuk duhet ta bëni këtë test nëse jeni shtatzënë ose jeni duke ushqyer foshnjën me gji.

Çfarë testi përdorin mjekët nëse evidentojnë një nodus të tiroides?


Nëse profesionisti juaj i kujdesit shëndetësor gjen një nodus në qafën tuaj gjatë një ekzaminimi fizik ose në testet imazherike të tiroides, mund të bëni një biopsi nëpërmjet aspirimit me një gjilpërë të hollë, për të parë nëse nodusi mund të ketë natyrë tumorale apo jo.

Për këtë ekzaminim, do të shtriheni në një shtrat të posaçëm dhe do të përkulni paksa qafën prapa. Infermieri do të pastrojë qafën tuaj me një antiseptik dhe mund të përdorë krem ose sprai për të mpirë zonën. Endokrinologu ose mjeku imazherist do të fusë një gjilpërë përmes lëkurës dhe do të përdorë ekografinë për të drejtuar gjilpërën në nodusin specifik. Mostra të vogla të indeve nga nodusi do të dërgohen në një laborator për t'u testuar. Kjo procedurë zakonisht zgjat më pak se 30 minuta. Rezultatet e ekzaminimit duhet të diskutohen gjithmonë me mjekun tuaj endokrinolog.
Çfarë janë noduset e Tiroides?