Nëse një person është i mirë hidratuar, ngjyra normale e urinës është e verdhë e hapur. Personat që konsumojnë shumë ujë ose shumë lëngje, ose ata që marrin diuretikë (shkarkues) kanë një urinë me ngjyrë pothuajse transparente. Urina me ngjyrë të verdhë të theksuar mund të tregoj që është e nevojshme të rrisni sasinë e lëngjeve që konsumoni.
Urina e kuqe shpesh kthehet në një arsye shqetësimi. Por para se të shqetësoheni, kujtoni atë çfarë keni ngrënë së fundmi. Panxhari dhe manaferrat mund të shkaktojnë ngjyrosjen e urinës në rozë apo të kuqe, çka mund të ngatërrohet me prezencën e gjakut. Ky fenomen ndodh në rreth 10-14% të popullsisë. Shansi për të ndodhur kjo është më i lartë nëse njëkohësisht vuani edhe nga mungesa e hekurit. Po ashtu, disa barna, si fenitoina ose rifampina mund të shkaktojnë ngjyrë të kuqe të urinës. Në disa raste edhe barna kundër infeksioneve urinare si Furamag mund të shkaktojnë ngjyrojse të urinës në portokalli, por kjo nuk është për t`u shqetësuar.
Nëse nuk e lidhni ngjyrën e urinës me një ushqim apo medikament që mund të keni marrë, duhet të drejtoheni te një mjek. Mjeku do të kryej analizat e nevojshme për të kuptuar nëse në urinë është apo jo prezenca e hemoglobinës, element i rruazave të kuqe të gjakut që transporton oksigjenin. Nëse vihet re prezenca e rruazave të kuqe të gjakut në urine, kjo gjendje njihet si hematuri. Shkaqet më të shpeshta të hematurisë janë infeksionet fshikëzës urinare dhe gurët në veshka. Zakonisht, personat me infeksion të fshikëzës urinare kanë njëkohësisht edhe simptoma të tjera si urinim me dhimbje dhe të shpeshtë.
