Shkaqet e ënjtjes së këmbëve janë nga më të shumtat. Ato mund të kenë lidhje me zakonet tona të përditshme si qëndrimi në këmbë por edhe mund të jenë si pasojë e problemeve serioze të shëndetit.

Ënjtja e lehtë e këmbëve


Kur ke qëndruar gjithë ditën në këmbë, është normale të kesh pak këmbë të ënjtura në darkë. E njëjta gjë ndodh kur ke qëndruar ulur gjatë, si psh. në një udhëtim të gjatë me makinë ose avion. Kjo ënjtje e quajtur gjithashtu edemë, ndodh kur lëngjet mblidhen përreth këmbëve. Kjo gjendje është më e shpeshtë te gratë shtatzëna ose njerëzit mbipeshë, por mund t`i ndodh kujtdo.

Për të shmangur ënjtjen e këmbëve, kufizoni sasinë e kripës që konsumoni në dietën tuaj. Kur jeni duke udhëtuar, çohuni shpesh herë përgjatë udhëtimit për të bërë disa zgjatje dhe lëvizje. Nëse keni qëndruar gjatë në këmbë gjatë ditës, në darkë mbajini këmbët lartë mbi një jastëk.


Tromboza e venave të thella (DVT)


DVT është një mpiksje gjaku që formohet në venat e trupit, zakonisht (por jo gjithmonë) në zonën pelvike, kofshë dhe këmbë. Simptomat më të zakonshme të DVT janë:

- Ënjtje në një këmbë, shpesh e shoqëruar me lëkurë të skuqur dhe të nxehtë në prekje.
- Dhimbje të zonës së ënjtur.
- Zmadhim i venave në sipërfaqe.

Personat me një gjendje shëndetësore të njohur si Sindromi May-Thurner (MTS) kanë risk më të lartë për DVT. Një arterie e këmbës shtyp venën më të afërt dhe favorizon formimin e trombeve.

Nëse trombi shkëputet, mund të qarkullojë deri në mushkëri dhe të bllokojë qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar një emboli pulmonare - çka është serioze për jetën. Shenjat e embolisë pulmonare janë:

- Marrje fryme papritur
- Dhimbje në gjoks ose shpinë
- Kollë
- Marramendje
- Rrahje të shpejta të zemrës


Insufiçenca venoze


Kur venat në këmbë dobësohen, kthimi i gjakut në zemër nuk ndodh lehtësisht. Si rrjedhojë, mund të zhvillohen venat varikoze dhe grumbullim i likidit në këmbë. Insufiçenca venoze shpesh zhvillohet edhe në personat që kanë kaluar trombozë të venave të thella (DVT).


Limfedema


Limfedema ndodh kur limfonodujtë nuk filtrojnë siç duhet limfën qarkulluese. Në këtë rast, shfaqet ënjtje e gjymtyrës - e lehtë deri në shumë të agravuar.

Limfedema zakonisht ndodh në personat që kanë hequr limfonodujt si pasojë e një ndërhyrje për kancer. Por mund të ndodh edhe në persona që kanë dëmtim të limofonodujve për arsye të tjera.

Sëmundjet e zemrës, veshkave dhe mëlçisë


Kur organet nuk janë duke punuar siç duhet, likidi mund të grumbullohet në këmbë. Insufiçenca kardiake, sëmundje e veshkave dhe të mëlçisë, mund të jenë shkaktare të edemës.

Nëse vuani nga këto sëmundje dhe vini re ënjtje të këmbëve duhet ta flisni me mjekun tuaj.

Kur duhet trajtuar edema e këmbëve?


Shumë gjendje të tjera shëndetësore mund të shkaktojnë edemë të këmbëve, përfshirë infeksionet, dëmtimet dhe sëmundje si artriti. Nëse enjtja nuk është shumë e avancuar dhe përmirësohet brenda ditës, nuk përbën një shqetësim. Por nëse edema ndodh më shpesh dhe zgjat më shumë, nëse prek vetëm njërën këmbë ose shoqërohet me simptoma të tjera duhet të flisni me një mjek.

Çfarë duhet të dini për ënjtjen e këmbëve?