Sëmundja e Arterieve Periferike


Në këtë gjendje, gjymtyrët tuaja, zakonisht këmbët, nuk furnizohen me gjak mjaftueshëm. Zakonisht ndodh sepse arteriet tuaja janë ngushtuar. Gjatë ecjes mund të ndjeni dobësi, mpirje ose ngërçe në këmbët tuaja. Ato mund t'i ndjeni të ftohta ose mund të marrin një ngjyrë të çuditshme të errët. Disa njerëz mund ta menaxhojnë këtë sëmundje me ndryshime të zakoneve të jetës, si lënia e duhanit. Nëse kjo nuk funksionon, mjeku juaj mund t'ju japë barna për të trajtuar problemin ose për t'ju ndihmuar me dhimbjet. Ndërsa disa njerëz kanë nevojë për operacion.

Tromboza e venave të thella


Kjo është një mpiksje gjaku në venë, zakonisht në kofshë ose pjesën e poshtme të këmbës. Jo gjithmonë shkakton simptoma, por mund të ndjeni dhimbje, ënjtje dhe këmba mund të jetë e ngrohtë dhe e kuqe. Telefononi menjëherë mjekun tuaj nëse vëreni ndonjë nga këto shenja. Tromboza e venave të thella mund të çojë në një gjendje të rëndë të quajtur emboli pulmonare, e cila ndodh kur koaguli copëtohet dhe udhëton deri në mushkëri. Mjeku juaj mund t'ju japë barna për të penguar formimin e këtyre mpiksjeve, rritjen apo copëzimin e tyre.

Neuropatia periferike


Kjo ndodh kur ka dëmtime të nervave në trupin tuaj që transmetojnë mesazhe nga dhe në trurin tuaj. Shkaku më i zakonshëm është diabeti, por gjendje të tjera shëndetësore, medikamente, dëmtime ose infeksione mund ta shkaktojnë atë. Nëse ajo prek nervat në këmbët tuaja, ato mund të ndihen si me gjemba ose miza, ose mund të jenë të mpira apo të ndihen të dobëta. Mjeku juaj do të trajtojë gjendjen që e shkakton atë dhe do t'ju japë barna për dhimbjen nëse do të keni nevojë për to.

Disbalanca e elektroliteve


Elektrolitet janë minerale si natriumi, kaliumi dhe kalciumi që ndihmojnë muskujt tuaj të punojnë ashtu si duhet. Ju i humbni një pjesë përmes djersës kur ushtroni, dhe nëse humbni shumë, mund të përjetoni ngërçe, dobësi ose mpirje në këmbët tuaja. Mund të ndodhë kur merrni disa trajtime mjekësore, si kimioterapia. Pijet sportive me elektrolite, ose ujë së bashku me ushqime që i përmbajnë ato minerale mund të ndihmojnë. Konsultohuni me mjekun tuaj nëse keni shpesh ngërçe.

Ngushtimi spinal (i kolonës)


Kjo gjendje ndodh kur hapësirat brenda kockave në shtyllën tuaj kurrizore ngushtohen. Kjo gjë ushtron presion mbi nervat e zonës dhe mund të shkaktojë dhimbje, ndjesi shpimi gjilpërash, mpirje ose dobësi në këmbët tuaja. Gjithashtu mund të keni probleme me ekuilibrin. Konsultohuni menjëherë mjekun tuaj nëse keni ndonjë nga këto simptoma. Medikamentet mund të lehtësojnë dhimbjen, dhe fizioterapia mund të ndihmojë gjithashtu. Nëse këto nuk funksionojnë, mund të keni nevojë për kirurgji.

Shiatiku


Kjo është dhimbje në këmbë që vjen nga një nerv i shtypur në shtyllën kurrizore. Mund të variojë nga një ngërç i keq në një dhimbje të fortë therëse që e bën të vështirë qëndrimin në këmbë ose edhe të qëndruarin ulur. Kjo gjendje mund të krijohet nga një rrëshqitje ose hernie diskale, një rrëshqitje e vertebrës, një spazmë të muskujve tuaj glutealë ose stenozës spinale. Mjeku juaj mund të rekomandojë barna për dhimbjen ose fizioterapi. Nëse keni një rast më serioz, mund të keni nevojë për kirurgji.

Artriti


Kjo është një gjendje e zakonshme që prek nyjet tuaja dhe shkakton dhimbje, ënjtje dhe ngurtësim. Kur ndodh në ije, gjunjë ose kyçet e këmbëve, mund të jetë e vështirë të ecësh ose të kryesh aktivitete të tjera të përditshme. Nuk ka shërim, por mund të ndihmojë stërvitja dhe të mbajturit e një peshe të shëndetshme. Jastëkët me nxehtësi ose akulli në nyjet që dhembin mund të lehtësojnë dhimbjen dhe ënjtjen. Po ashtu medikamentet pa recetë kundër dhimbjeve mund të ndihmojnë.

Tërheqja muskulore


Ndodh kur një muskul zgjatet shumë. Kjo gjendje i ndodh shumë njerëzve që bëjnë sport. Dhimbja është e fortë dhe fillon menjëherë, dhe zona është e ndjeshme në prekje. Trajtimi më i mirë është vendosja e pakove të ftohta të akullit për periudha 20 minutëshe, me pushime midis tyre. Përveç kësaj, mbështillni zonën lehtë, mbajeni të ngritur nëse mundeni dhe bëni pushim. Barnat e dhimbjeve që mund të merren pa recetë mund të lehtësojnë dhembjen.

Ndrydhja


Ky dëmtim ndodh kur indi që lidh kockat me njëra tjetrën, i quajtur ligament, shtrihet ose këputet. Ndrydhjet e kyçit të këmbës janë të zakonshme. Zona e dëmtuar enjtet dhe dhemb, dhe ju nuk mund të mbani peshë mbi të. Mënyra më e mirë për ta trajtuar atë është metoda P.L.A.K. - pushimi, lartësia (ngriheni lart), akull (rreth 20 minuta disa herë në ditë) dhe komprimimi (mbështilleni me fashë). Konsultohuni me mjekun tuaj në mënyrë që ai të bëjë një grafi dhe të kontrollojë për thyerje të mundshme të kockave.

Krampet muskulore


Kjo ndodh kur një muskul, zakonisht në kofshën tuaj, papritur shtrëngohet. Mund të shkaktojë një dhimbje të mprehtë dhe mund të ndjeni një shirit të fortë muskulor nën lëkurën tuaj. Ngërçet kanë tendencë të ndodhin më shumë ndërsa plakeni, dhe gjithashtu ka të ngjarë t’i përjetoni nëse jeni jashtë në mot të nxehtë, dhe nuk pini mjaftueshëm ujë. Krampet zakonisht zhduken vetvetiu dhe nuk janë shenjë e ndonjë problemi shëndetësor, por flisni me mjekun tuaj nëse ju ndodhin shpesh.

Tendiniti


Tendinat janë kordonët fleksibël që lidhin muskujt me kockat. Mund të dhembë shumë nëse inflamohen, veçanërisht kur lëvizni artikulacionin ku janë vendosur. Ky quhet tendinit, dhe është një dëmtim i konsumimit që mund të ndikojë në ije, gju ose kyçin e këmbës. Ashtu si me një ndrydhje, mënyra më e mirë për ta trajtuar atë është metoda P.L.A.K. Vizitoni mjekun tuaj në mënyrë që ai të mund të përjashtojë arsye të tjera. Ai gjithashtu mund të sugjerojë medikamente anti-inflamatore të dhimbjes si ibuprofen ose naproxen.

Venat varikoze


Kur venat duhet të punojnë më shumë se normalisht për të rikthyer gjakun në zemrën tuaj, ato fryhen dhe duken të përdredhura, blu ose ngjyrë vjollcë të errët. Ato mund t’i bëjnë këmbët tuaja të ndihen të rënda, të djegin, të pulsojnë ose të përjetojnë ngërçe. Ka më shumë të ngjarë t’i keni me kalimin e moshës, ose nëse jeni mbipeshë, shtatzënë, apo qëndroni ulur për periudha të gjata. Humbja e peshës, ushtrimet fizike ose veshja e çorapeve shtrënguese mund të ndihmojnë. Nëse nuk janë të efektshme, flisni me mjekun tuaj për mundësitë e tjera të trajtimit.

Dhimbja djegëse e kofshës


Meralgia paresthetica është një problem nervor që shkakton dhimbje në formën e djegies, mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash në pjesën e sipërme të kofshës. Shanset tuaja për ta patur janë më të larta nëse jeni shtatzanë, mbipeshë, vishni rroba të ngushta ose keni cikatrice kirurgjikale në zonën midis barkut dhe kofsheve te brendshme. Ju mund t’i lehtësoni simptomat me barna që jepen pa recetë si paracetamoli ose ibuprofeni. Nëse dhimbja zgjat më shumë se 2 muaj, mjeku juaj mund të rekomandojë barna më të forta.
Pse përkeqësohet dhimbja neuropatike natën?

Fibromialgjia - pse është e vështirë të diagnostikohet?



Ç`duhet të dimë për neuropatinë diabetike?