Jeta është bërë e ngutshme dhe koha e shtrenjtë. Shpesh, në mos gjithmonë nuk na mjafton koha për të bërë gjithë gjërat që kemi në mendje dhe përfundojmë që shumë gjëra i shtyjmë pafundësisht. Por një gjë të cilën duhet ta mbash gjithmonë në krye të listës, është vizita e përvitshme e gjinekologut, veçanërisht nëse je nënë.

3 arsyet pse vizita e përvitshme e gjinekologut duhet të jetë një prioritet, i gjen më poshtë:

Parandalon kancerin e qafës së mitrës


Edhe pse në dukje një ekzaminim shumë i thjeshtë, pap testi është një ekzaminim shumë i rëndësishëm për shëndetin e gruas. Edhe nëse keni bërë disa pap teste, është e rëndësishme të vazhdoni të kryeni këtë ekzaminim sipas rekomandimit të mjekut.

Pap testi është një ekzaminim që detekton praninë e qelizave prekanceroze ose kanceroze në qafën e mitrës. Madje, edhe nëse rezultati i pap testit tuaj ka qenë gjithmonë normal, është e rëndësishme të vazhdoni me vizitat e përvitshme të gjinekologut për arsye parandaluese. HPV, një virus i cili rrit probabilitetin e kancerit të qafës së mitrës, mund të bëhet aktiv papritur, pas shumë vitesh në gjendje qetësie.

Është një test kaq i thjeshtë që mund të të kthejë proaktiv dhe të të ndihmojë ta kesh shëndetin tënd në dorë.


Jep një shembull të mirë


Të gjithë e dimë se prioritet e nënave përfundojnë në fund të listës, sepse gjithmonë ka diçka “më të rëndësishme” në familje. Të parat që sakrifikohen janë gjithmonë ato, nënat. Por në këtë rast, nëse je e vëmendshme ndaj shëndetit tënd, do të japësh edhe shembullin e duhur për fëmijët e tu:

“Te mjeku nuk shkohet vetëm kur je sëmurë.”


Ndoshta, fëmijët e tu nuk do e kuptojnë këtë gjë tani, por kur të rriten ata do të ndjekin shembullin tënd. Nëse je nëna e një vajze, mund ta inkurajosh atë të kryej pap testin e parë dhe t`i mësosh se si ky ekzaminim duhet të kthehet në një rutinë për kontrollin e shëndetit të saj.

Tregon kujdes ndaj vetes


Edhe nëse je nëna e një djali apo vajze, ose ndoshta nuk je nënë dhe ke lënë takimin tënd te gjinekologu, tregon se shëndeti yt vlen. Je duke i treguar familjes tënde se shëndeti yt personal është i rëndësishëm dhe duhet të jetë në krye të listës së prioriteteve. Sepse shëndetin tënd nuk e gëzon vetëm ti, por të gjithë njerëzit e dashur rreth teje.

Shëndeti vjen gjithmonë i pari!


Cikli menstrual dhe shenjat e ovulimit