Kur fëmija juaj sëmuret ju dëshironi që ai të ndihet më mirë sa më shpejt që të jetë e mundur. Por antibiotikët nuk janë gjithmonë përgjigja, dhe ndonjëherë mund të bëjnë më shumë dëm sesa dobi. Ja se si t'i përdorni në mënyrë të sigurt dhe të shmangni përdorimin e tepruar të antibiotikëve.

Në këtë artikull do të lexoni:

1. A munden bebet dhe fëmijët e vegjël të përdorin antibiotikë?

2. Përse mbidozimi me antibiotikë te fëmijët mund të jetë i rrezikshëm?
3. Kur kanë nevojë bebet dhe fëmijët e vegjël për antibiotikë?
4. Kur antibiotikët nuk janë të nevojshëm te bebet dhe fëmijët?
5. Si ta shmangim mbi përdorimin e antibiotikëve?

6. Cilat efekte anësore të antibiotikëve duhen pasur kujdes nga prindërit?


Fëmija juaj ka ethe, gjëndra të ënjtura dhe sytë që i lotojnë. Ju nxitoni për tek pediatri, të etur për ilaçet magjike që do ta ndihmojnë të ndihet më mirë. Nëse mjeku juaj do të përshkruajë ose jo antibiotikë, kjo do të varet nga mikrobi që po e bën të voglin tuaj të sëmurë.

Antibiotikët janë efektivë për trajtimin e infeksioneve bakteriale. Ato janë thelbësore për disa, por jo për të gjitha rastet e infeksioneve të veshit, fytit dhe sinuseve.
Sidoqoftë, shumica e sëmundjeve të fëmijërisë shkaktohen nga viruset, që do të thotë se ato nuk mund të trajtohen nga antibiotikët. Përdorimi i antibiotikëve për të trajtuar një infeksion viral është problematik, pasi vret bakteret e shëndetshme në trup dhe mund të çojë në rezistencë ndaj antibiotikëve. Ja se çfarë duhet të dini kur rekomandohen antibiotikët dhe kur është më mirë t'i shmangni ato.

A munden bebet dhe fëmijët e vegjël të përdorin antibiotikë?


Po, foshnjat dhe të vegjlit mund dhe duhet të marrin antibiotikë për të trajtuar një infeksion bakterial, siç është infeksioni i traktit urinar ose sinusiti bakterial. 
Nëse mjeku juaj diagnostikon një nga këto gjendje, është e rëndësishme që fëmija juaj të marrë dozën e plotë të antibiotikëve siç përshkruhet, për të siguruar që eliminoni të gjitha bakteret që e bëjnë atë të sëmurë.

Përse mbidozimi i antibiotikëve te fëmijët mund të jetë i rrezikshëm?


Antibiotikët nuk janë të nevojshëm për çdo sëmundje. Dhënia e tyre fëmijës tuaj kur nuk nevojitet mund të jetë potencialisht e dëmshme. Disa studime sugjerojnë se mund të jetë veçanërisht problematike gjatë vitit të parë ose të dytë të jetës.

Shumë rreziqe të mundshme të antibiotikëve mendohet se lidhen me prishjen e ekuilibrit të mikrobiomë (d.m.th. bakteret, kërpudhat dhe viruset e shëndetshme në trupin tonë, shumica e të cilave jetojnë në zorrë). Mikrobioma ka një numër funksionesh të rëndësishme, duke përfshirë mbrojtjen nga mikrobet e këqija dhe mbështetjen e funksionit të sistemit imunitar. Ndryshimet në mikrobiomën e zorrëve janë lidhur me rritjen e rrezikut të infeksioneve, sëmundjeve autoimune dhe inflamacioneve kronike.

Përdorimi i tepërt i antibiotikëve të panevojshëm:


Ekspozon fëmijën tuaj ndaj efekteve anësore të mundshme të medikamentit (si diarreja dhe myku) si dhe ndaj ndonjë reaksioni alergjik potencialisht serioz.

Lidhet me një rrezik në rritje të gjendjeve që përfshijnë funksionimin e sistemit imunitar, duke përfshirë sëmundjen inflamatore të zorrëve, sëmundjen celiake, diabetin dhe astmën në fëmijëri. Më shumë hulumtime nevojitet të bëhen për të kuptuar lidhjen e saktë.

Me kalimin e kohës, përdorimi i tepërt i antibiotikëve rrit rezistencën e baktereve ndaj antibiotikëve, kështu që në fund ndodh që antibiotiku nuk ka më efekt mbi infeksionin për të cilin është përdorur.

Kontribuon në përdorimin e tepruar të antibiotikëve në komunitet, i cili mund të çojë në rritjen e shtameve të reja të baktereve (ndonjëherë të quajtura supermikrobe) që janë krejtësisht rezistente ndaj antibiotikëve. Gjithnjë e më shumë baktere janë forcuar dhe janë bërë imune ndaj trajtimit në komunitetet në të gjithë vendin, ky është bërë një problem i madh i shëndetit publik.


Kur kanë nevojë bebet dhe fëmijët e vegjël për antibiotikë?


Mjeku juaj do të përshkruajë antibiotikë nëse ai/ajo dyshon se një infeksion bakterial është shkaku për simptomat e foshnjës ose të vogëlushit tuaj. Sëmundjet e mëposhtme mund të kërkojnë një trajtim me antibiotikë për fëmijët:

- Infeksionet e fytit apo bajameve
- Sinusiti bakterial
- Pneumonia bakteriale
- Disa lloje të infeksioneve në vesh (shpjegohen më poshtë)
- Impetigo (infeksion i lëkurës)
- Infeksionet bakteriale të lëkurës
- Infeksionet e traktit urinar dhe fshikëzës së urinës

Disa nga simptomat e fëmijës suaj mund të kërkojnë ose jo antibiotikë, në varësi të sëmundjes që i shkakton ato (një arsye më shumë për të parë pediatrin e fëmijës suaj për të marrë një diagnozë të duhur). Këtu janë disa nga ato simptoma të zonës gri:

Ethet/Temperatura


Shumica dërrmuese e etheve dhe temperaturës tek fëmijët e vegjël nxiten nga infeksione virale si gripi ose ftohja, të cilat nuk kërkojnë antibiotikë. Ethet janë pjesë e mbrojtjes natyrale të trupit kundër infeksionit dhe mjeku juaj mund të ndihmojë në përcaktimin nëse infeksioni që shkakton ethe ka nevojë për trajtim të mëtejshëm ose do të përmirësohet me pushim dhe shumë dashuri nga ju.

Një ethe/temperaturë që shkaktohet nga bakteret (si sinusiti bakterial ose bajamet) zakonisht, megjithëse jo gjithmonë, do të kërkojë antibiotikë.

Simptoma e vetme e një infeksioni urinar tek foshnjat mund të jetë temperatura, kështu që nëse fëmija juaj ka një temperaturë të pashpjegueshme, mjeku juaj mund të kërkojë një mostër të urinës së fëmijës suaj.

Meqenëse disa ethe mund të jenë serioze, është thelbësore që:

Kërkoni menjëherë kujdes mjekësor nëse foshnja juaj është nën 3 muajshe dhe ka temperaturë 38ºC ose më të lartë, ose nëse një fëmijë i çdo moshe ka probleme me frymëmarrjen, nuk pi apo përtyp, është letargjik, duket shumë i sëmurë dhe/ose nuk ka marrë të gjitha vaksinat e rekomanduara.

Telefononi pediatrin tuaj nëse foshnja juaj mbi 3 muaj ka temperaturë më shumë se 38°C, ose nëse vogëlushi ose fëmija juaj nuk po përmirësohet pas dy ose tre ditësh.

Infeksionet e veshit


Otiti media akut është një infeksion i zakonshëm i veshit në fëmijëri që ndodh kur veshi i mesit bllokohet me lëng dhe shkakton dhimbje, zakonisht për shkak të një ftohjeje ose infeksioni tjetër viral të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Ky lëng bëhet një terren shumimi për bakteret, viruset ose kërpudhat.

Gjatë një infeksioni të veshit, një fëmijë mund të:

- Tërheqë ose të prekë veshin e infektuar
- Ketë vështirësi për të fjetur (dhimbja shpesh bëhet më keq gjatë natës)
- Ketë ethe dhe temperaturë
- Jetë i lodhur ose nervoz

Nëse mendoni se fëmija juaj ka një infeksion të veshit (dhe veçanërisht nëse ka dhe temperaturë), drejtohuni tek pediatri juaj. Mjeku juaj mund të përshkruajë antibiotikë nëse:

- Bebi juaj është nën 6 muajsh

- Fëmija juaj është mbi 6 muajsh dhe ka ethe më shumë se 38.5ºC, ose nëse një infeksion është shumë i dhimbshëm dhe zgjat për më shumë se dy ditë

Shumë mjekë parapëlqejnë të lënë pak kohë për të parë ecurinë, para se të përshkruajnë antibiotikë tek të vegjëlit mbi 2 vjeç. Kjo për shkak se shumica e infeksioneve virale të veshit dhe madje edhe shumë infeksione bakteriale të veshit përmirësohen vetë brenda dy deri në tre ditë, dhe antibiotikët nuk kanë treguar të zvogëlojnë dhimbjen ose të përmirësojnë shërimin. Ndërkohë, pyesni pediatrin tuaj nëse duhet t'i jepni fëmijës suaj acetaminofen (paracetamol) ose ibuprofen për të lehtësuar dhimbjen.

Dhimbja e fytit


Dhimbja e fytit është shpesh shenja e parë e një infeksioni viral, i cili nuk kërkon antibiotikë. Dhimbja e fytit e shkaktuar nga një infeksion viral shoqërohet zakonisht nga një ose më shumë nga simptomat e mëposhtme:

- Rrjedhje të hundës
- Kollë
- Ngjirje të zërit
- Skuqje të syve

Fyti mund të preket edhe nga një infeksion bakterial që mund të kërkojë antibiotikë. Sidoqoftë është shumë e rrallë, që foshnjat dhe fëmijët e vegjël nën 3 vjeç të trajtohen për këtë. Infeksioni është më i zakonshëm tek fëmijët e moshës 5 deri në 15 vjeç. Mjeku juaj mund të testojë foshnjën ose vogëlushin tuaj nëse ka pasur një shpërthim në kopësht/çerdhe ose nëse një i afërm i ngushtë ka qenë gjithashtu i sëmurë.

Nëse fëmija juaj ka një infeksion bakterial të fytit, dhimbja zakonisht shoqërohet nga:

- Ethe/temperaturë
- Bajamet e enjtura
- Njolla të vogla, të kuqe në pjesën e sipërme të gojës
- Nyjet limfatike të fryra

Skuqja e syve

Skuqja e syrit (ose konjuktiviti) është një inflamacion i membranës që vesh sytë ose qepallat, duke bërë që një ose të dy sytë të duken rozë ose të kuq. Mund të shkaktohet nga bakteret, viruset, alergjenët (si poleni) ose irritues të tjerë (si klori i pishinës).

Një infeksion bakterial mund të shoqërohet nga:

- Sekrecione të verdha ose jeshile nga syri
- Dhimbje/ të kruara
- Një infeksion i veshit, shoqërues

Mund të jetë e vështirë të gjeni shkakun e saktë të skuqjes së syrit. Nëse e bardha e syrit të fëmijës tuaj bëhet e kuqe dhe duket e enjtur, vizitoni mjekun e fëmijës tuaj për trajtim.

Sekrecionet jeshile

Kur sekrecionet e hundës bëhen të verdha ose jeshile, fëmija mund të ketë sinusit, ose inflamacion të zgavrave të hundës. Është normale që shkarkimi i hundës të bëhet i verdhë ose i gjelbër disa ditë pas fillimit të një ftohjeje.

Infeksioni bakterial i sinusit zakonisht shkaktohet pas një infeksioni viral apo një ftohje, duke shkaktuar që me kalimin e kohës temperatura dhe simptomat e tjera të përkeqësohen. Kjo situatë  është relativisht e pazakontë, ndodh vetëm në rreth 5 % të të gjitha ftohjeve.

Mjekët shpesh parapëlqejnë të presin dhe të shohin ecurinë për rreth 10 ditë para se të përshkruajnë antibiotikë. Mjeku juaj gjithashtu mund të dyshojë në sinusit bakterial, nëse simptomat përmirësohen dhe përkeqësohen përsëri, ose nëse fëmija juaj ka temperaturë të paktën 38.5-39ºC për tre ditë me radhë shoqëruar me shkarkim të verdhë ose të gjelbër të hundës.

Kolla

Zakonisht kolla shkaktohet nga një infeksion viral, si një ftohje ose grip. Por mjeku juaj mund të rekomandojë antibiotikë për kollën e fëmijës suaj nëse nuk përmirësohet brenda 14 ditësh, ose nëse testet tregojnë fëmijën tuaj me kollë të mirë ose pneumoni bakteriale.

Diarreja

Megjithëse diarreja ka shumë shkaqe të ndryshme, në pjesën me të madhe të rasteve shkaktohet nga një infeksion viral si rotavirusi. Rrallë, mund të shkaktohet nga një infeksion bakterial. Mjeku juaj mund të përshkruajë antibiotikë nëse fëmija juaj ka diarre të shoqëruar me gjak.

Kur antibiotikët nuk janë të nevojshëm për foshnjat dhe fëmijët e vegjël?


Antibiotikët nuk janë të nevojshëm për infeksionet virale, në këtë rast do të shkatërronin vetëm bakteret e shëndetshme në sistemin e fëmijës tuaj. Viruset janë shkak për shumë sëmundje të zakonshme të fëmijërisë, duke përfshirë:

- Ftohja e zakonshme
- Gripi
- Sëmundja e duarve, këmbëve dhe gojës (virusi coxsackie)
- Sëmundja e pestë (virusi parvovirus B19)

Si ta shmangim mbipërdorimin e antibiotikëve?


Kontrolli i përdorimit të antibiotikëve nuk varet vetëm nga mjeku juaj; varet edhe nga ju. Ja se si ju ndihmoni të shmangni përdorimin e tepruar të antibiotikëve tek fëmija dhe vogëlushi juaj:

- Pranoni që antibiotikët nuk janë gjithmonë përgjigjja. Mbani në mend se fëmijët e vegjël ftohen shumë, gjashtë deri në tetë herë në vit, veçanërisht nëse janë në kopësht ose çerdhe. Shumica e simptomave si rrjedhja e hundëve, kolla dhe bllokimi lidhen me një ftohje virale dhe do të përmirësohen vetë.

- Kini durim. Nëse fëmija juaj ka një virus, shpesh koha është ilaçi më i mirë. Pyesni mjekun tuaj nëse lehtësuesit e dhimbjeve mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave.

- Pyesni. Nëse pediatri juaj sugjeron një antibiotik, mos kini frikë të pyesni pse është e nevojshme.

- Ndiqni udhëzimet. Nëse i vogli juaj ka nevojë për një antibiotik, ndiqni udhëzimet në mënyrë të përpiktë për të zhdukur infeksionin sa më shpejt që të jetë e mundur. Sigurohuni që gjithmonë t'i jepini fëmijës suaj dozën e plotë të antibiotikëve, edhe nëse ai përmirësohet shpejt. Nëse e ndaloni mjekimin herët, bakteret e këqija mund të riaktivizohen dhe ta sëmurin fëmijën tuaj përsëri, duke kërkuar marrjen e antibiotikëve nga fillimi.

Merrni një recetë të re çdo herë. Nëse keni antibiotikë të vjetër të mbetur në shtëpi nga një sëmundje e mëparshme, kurrë mos ia jepni fëmijës suaj. Çdo infeksion kërkon një medikament dhe dozë specifike. Kujdes, mund të ndodhë edhe që ata të kenë skaduar.

- Lani duart rregullisht. Larja pasi të përdorni banjën dhe para se të përgatisni ushqimin zvogëlon rrezikun e kapjes së një infeksioni bakterial ose viral.

- Imunizoni fëmijën tuaj. Disa nga infeksionet bakteriale më ngjitëse dhe të rrezikshme mund të shmangen me vaksinat, duke përfshirë difterinë, tetanozin dhe pertusin (vaksina DTP), sëmundjen pneumokoksike (vaksinat e konjuguara pneumokoksike (PCV)). Hulumtimet kanë treguar se marrja e vaksinës PCV ndihmon në parandalimin e infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve tek fëmijët.

- Vaksinohuni edhe ju gjithashtu. Nëse jeni duke pritur një fëmijë, sigurohuni që të merrni vaksinën Tdap për t'i dhënë mbrojtje fëmijës tuaj që nga lindja.

Cilat efekte anësore të antibiotikëve duhen pasur kujdes nga prindërit?


Pothuajse 1 në 10 fëmijë kanë efekte anësore nga marrja e antibiotikëve. Njoftoni mjekun tuaj nëse fëmija juaj ka ndonjë nga simptomat e mëposhtme pas përdorimit të antibiotikëve:

- Diarre ujore
- Diarre me gjak
- Të përziera
- Dhimbje stomaku
- Myk
- Skuqje, të kruara ose urtikarie

Kërkoni menjëherë kujdes mjekësor nëse fëmija juaj ka një reagim më serioz ndaj antibiotikëve, duke përfshirë:

- Flluska në lëkurë
- Ënjtje e fytyrës dhe fytit
- Probleme me frymëmarrjen
- Diarre e rëndë dhe e vazhdueshme